Psikologia Besarta Taçi ka folur së fundmi mbi rritjen e dëshirës seksuale në verë. Psikologia ndër të tjera tregon se në Shqipëri ka disa meshkuj që thonë se “të bësh seks me prezervativ, është njësoj si të lash këmbët me çorape”.

“Fatkeqësisht, të rinjtë nga mosha 15 deri në 25 vjeçare, sot e përdorin gjithnjë e më pak mbrojtjen, që është prezervativi. Kjo është dramatike. Një farmaci duhet të ketë në dispozicion gjithmonë, jashtë farmacisë, një makinetë, njësoj siç ti mund të marrësh një shishe ujë. Sepse ka mosha të ndryshme që kanë nevojë, kështu që të mos ekspozohet kjo marrëdhënie e drejtpërdrejtë me farmacistin për të mos qenë në siklet. Plus pastaj që farmacistët ndonjëherë janë të parët ata që e kanë të sikletshme. Hyjnë në siklet nëse është një 60-vjeçar që blen prezervativ, apo e kundërta një 15-vjeçar. Përveç kësaj, sot është ideja që shumë më pak vajza duan që ta përdorin dhe kjo ka ardhur konceptualisht sepse mendojnë që nëse një mashkull kryen marrëdhënie seksuale pa mbrojtje, ai do të ndiejë më shumë kënaqësi, do të jetë më shumë i lidhur me vajzën”, tha ajo.

“Sot shtëpitë që prodhojnë prezervativë kanë krijuar atë që quhet lëkurë e dytë. Ka disa lloj prezervativësh që të lejojnë një ndjeshmëri maksimale, deri në 98%. Ndërkohë ai 2% tjetër mua më vlen jetën. Mos të harrojmë që sot prezervativët janë absolutisht më të pranueshëm nga trupi, nuk ulin ndjeshmërinë. Por kemi dhe mundësinë e prezervativëve, të cilët ndryshojnë në konsistencë, kanë brenda kokrriza, kanë shije të ndryshme, ngjyra dhe mund të ndihmojnë në një lojë seksuale”, tha psikologia.