Krimi në familje është kthyer në një ngjarje të zakontë në vendin tonë! Ngjarje të tilla që trondisin jo pak mbarë opinionin publik, janë bërë tashmë të ngjashme edhe në shifra madje, me krimin e organizuar në atentate. Arsye nga më të ndryshmet, psikologjike, dëshmi tronditëse kanë “justifikuar” krimin në familje. Nga veriu në jug, por “eskportuar” edhe në Itali e Greqi, krimi në familjet shqiptare është rritur ndjeshëm.
Një ngjarje e rëndë u regjistrua edhe pasditen e sotme në Fier, ku 26-vjeçarja, Emanilda Rama ka vrarë babanë e saj, duke e mbytur me një tel. E dyshuar për krimin është edhe e ëma, Anesti Rama. Kjo e fundit dyshohet se ka bashkëpunuar për pastrimin e trupit të bashkëshortit të saj. Ndërkohë, e reja ka pranuar krimin, teksa ka rrëfyer se shkaku që ndërmori aktin ekstrem, ishte fakti që i ati e trajtonte me shumë fanatizëm dhe nuk e lejonte të argëtohej dhe të vishej sipas “modës”.
Por ky nuk është rasti i parë në familje ku fëmija vret prindin.
Në vitin 2024 u regjistrua një ngjarje e rëndë në Shënavlash të Durrësit. Tre fëmijët Hygerta, Hysen dhe Amarildo Meta vranë babanë e tyre Pëllumb Metën dhe më pas fshehën trupin e tij. Pëllumb Meta u gjet i varrosur në kasollen e bagëtive pranë banesës së tij, ndërsa 3 autorët, fëmijët e viktimës, janë lënë në burg.
Një ngjarje e rëndë u raportua në shtator të 2023 në Vlorë ku djali 23-vjeçar i shtëpisë, Mato Gllucaj vrau me lëndë eksplozive babain e tij Durmish Glluçaj 56-vjeç. Ngjarja fillimisht u raportua si aksidentale, por në fakt pas hetimeve u zbulua se ishte 23-vjeçari ai që vuri tritol në sobën e gazit me qëllimin për të vrarë të atin. Shaku i krimit ishte po aq tronditës, ku u raportua se ajo që e shtyu djalin vrasës ishte dhuna e vazhdueshme prej kryefamiljarit. Për të shpëtuar prej keqtrajtimit së Durmish Glluçajt, i cili ishte dhe i verbër, djali bëri planin hakmarrës.
Një tjetër krim horror brenda familjes ndodhi në Pejë në prill të 2023-shit, kur Urim Hyseni vrau nënën e tij, duke ia këputur kokën me thikë. Detaje të tmerrshme u bënë publike. Hetuesit raportonin se pas kryerjes së krimit, Hyseni piu gjakun e viktimës. Gjatë dëshmisë së tij ai pranoi krimin dhe fajësoi të ëmën për ndarjen nga bashkëshortja e tij.
Një ngjarje e rëndë në kufijtë e makabritetit ndodhi në fshatin Bucimas të Pogradecit në gusht të 2020. Olsi Çekiçi, 44 vjec, i cili kishte probleme të shëndetit mendor, vrau nënën e tij duke i prerë kokën dhe duke e varur atë në derën e shtëpisë. Shumë prej banorëve të fshatit, përfshirë dhe fëmijë panë aktin e rëndë.
Në qershor 2018 një tjetër akt fatal ndaj prindërve u raportua në Peshkopi. Djali 26-vjeçar Qemal Sela vrau me automatik, nënën dhe babain e tij Flamur Sela, 55 vjeç, dhe Zeqimete Sela, 50 vjeçe. Dëshmitarët thanë se panë skena të rënda. Ngjarja tragjike ndodhi në lagjen e ‘Llixhave’ dhe motivi që shtyu djalin të bënte veprimin ekstrem ishte pronësia.
Në vitin 2016, vrasja e Artur Kurtit, nga i biri Jurgen Kurti ishte një nga ngjarjet e cila përveç aktit të rëndë, tronditi opinionin publik dhe për faktin se Jurgeni asokohe vetëm 23 vjeç ishte shumë I njohur në qarqet e VIPA-ave shqiptar. Vrasja erdhi pas një sherri në apartamentin ku banonte nëna e tij, e cila ishte në proces divorci nga bashkëshorti që mbeti i vdekur. Kurti u la i lirë pasi daja i tij mori përsipër krimin, por në 2019 Jurgen Kurti do të ekzekutohej te dera e shtëpisë./ZËRI