Vendi ynë këto ditë korriku është përfshirë nga një valë i nxehti me temperatura të larta, duke u kthyer shpesh edhe në shqetësim për qytetarët.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu riktheu vëmendjen te kujdesi për shëndetin në këto ditë të nxehta.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ministrja ka ndarë sot për qytetarët edhe këshillat e mjekut për ta përballuar më lehtë të nxehtin.

“Të gjithë jemi të rrezikuar nga temperaturat e larta. Ndër këshillat që ne rekomandojmë është mos ekspozimi në temperaturat e larta, këshillojmë shmangien e daljeve gjatë kohës së pikut, këshillojmë të mbajnë shtëpinë e freskët, trupin të freskët. Nëse duhet të dalim, duhet të vishemi me rroba sa më të lehta, me ngjyra të çelëta, të mbajmë kapele, syze apo edhe çadër.

Gjithashtu e rëndësishme është edhe ushqyerja. Duhet të ushqehemi me vakte të shpeshta, të lehta, të pasura me perime të freskëta dhe fruta”, u shpreh mjekja.

Ministrja Koçiu thekson se duhet të shmanget ekspozimi në diell në orët e pikut.

“Në këto ditë me temperatura të larta, kujdesi për shëndetin është më i rëndësishëm se kurrë. Mjekët këshillojnë të shmanget ekspozimi në diell gjatë orëve të pikut, të konsumohet shumë ujë dhe të qëndrohet në ambiente të freskëta. Kujdesuni për veten dhe për të afërmit tuaj”, shkruan Koçiu.