TIRANË – Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj Prokurorisë së Shkodrës dhe veçanërisht ndaj prokurores së çështjes që lidhet me ndërtimet pa leje në Theth. Në një deklaratë të fortë, Rama tha se Ministria e Drejtësisë po përgatit dokumentacionin për të kërkuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) një hetim të plotë për këtë rast.
Sipas tij, veprimet e institucioneve shtetërore për prishjen e 10 kabinave të ndërtuara pa leje në një nga zonat më të mbrojtura të Shqipërisë janë sabotuar nga një prokurore që, siç thekson Rama, “jo vetëm që nuk ka marrë masa për të ndaluar përgjegjësin, por ka refuzuar të nisë një hetim”.
“Është shqetësuese ajo që ka ndodhur në Theth, ku strukturat e shtetit që kanë vepruar janë lënë në baltë nga një prokurore dhe Prokuroria e merr edhe në mbrojtje”, u shpreh kryeministri.
Ai akuzoi prokuroren Gjeli për mungesë totale logjike dhe për dëm të drejtpërdrejtë ndaj interesit publik dhe imazhit të vendit.
“Këta njerëz në shkollë bëjnë edhe një lëndë që quhet logjikë, në arsyetimet e tyre vetëm logjikë nuk ka… Kjo sjellje përkthehet në dëme të mëdha për komunitetin, individët, pasurinë tonë të përbashkët, por edhe për imazhin e Shqipërisë në sytë e turistëve”, shtoi ai.
Rama nënvizoi se individi që ka ndërtuar në mënyrë të paligjshme në zemër të parkut të Thethit vijon të jetë i lirë, ndërsa për këtë sipas tij, përgjegjësia bie mbi Prokurorinë e Shkodrës dhe mosveprimin e saj.
Ministria e Drejtësisë pritet të depozitojë në ditët në vijim kërkesën zyrtare në KLP, për të kërkuar hetim të plotë disiplinor ndaj prokurores dhe për të analizuar funksionimin e të gjithë strukturës në Shkodër në këtë rast.