Kryetari i Komisionit të Posaçëm, Fatmir Xhafaj, ka hapur këtë të mërkurë organizimin e tryezës së Komisionit për diskutimet mbi projektligjin për “Konfliktin e Interesave”.

Ai është shprehur fillimisht se ky është një hap i domosdoshëm për të përforcuar integritetin institucional dhe për të përmbushur detyrimet që vijnë nga procesi i integrimit evropian.

Xhafaj theksoi se ky projektligj nuk është thjesht një detyrim ligjor, por një angazhim për cilësi dhe bashkëpunim institucional.

“Së pari dua të them që është një tryezë që i dedikohet një projektligji të veçantë për ‘Konfliktin e Interesave’, i cili ka ardhur i domosdoshëm për të qenë në korpusin e ligjeve dhe në planin veprimit është e nevojshme, por kjo përkon edhe me një rekomandim nga BE, i cili është një ligj që duhet ta ketë shteti shqiptar si deadline.”-tha Xhafaj.

Xhafaj theksoi rëndësinë që procesi të mos jetë thjesht formal apo i përshpejtuar në mënyrë mekanike.

“Ne nuk duam të bëjmë thjesht një klik në këtë proces. Natyrisht në praktikë ka dhe raste që ligjet prodhohen si simitet nga furra që nisin në datën 1 dhe mbarojnë në datën 30, por ne duam të bëjmë një proces nga i cili të dalim mirë. Duam të bëjmë një proces ku të ndërthuren profilizimet e institucioneve dhe atyre që preken nga ky projektligj.”-vijoi Xhafaj.

Ai kujtoi gjithashtu se një draft i mëparshëm ekzistonte që nga tre-katër vite më parë, i hartuar nga ILDKPI, por që sipas ekspertizës ndërkombëtare kishte nevojë për përmirësime të mëtejshme.

“Për t’ju bërë me dije, ne kemi pasur një projektligj përpara tre katër vjetësh të hartuar nga ILDKPI-ja dhe unë dua ta falenderoj misionin e tyre për përpjekjen që kanë bërë, por që nga ekspertiza ndërkombëtare është gjykuar që ky draft të përmirësohet. Duhet të dëgjojmë më shumë opinione dhe të bëjmë një konsultim më të gjerë.”-tha Xhafaj.

Xhafaj shprehu mirënjohjen për grupin e ekspertëve dhe këshilltarëve të Kuvendit për përkushtimin e tyre në këtë proces, pavarësisht kushteve të vështira të verës.

“Dua të falenderoj grupin e ekspertëve dhe këshilltarëve të Kuvendit që në këto kohë temperaturash të larta janë angazhuar dhe impenuar shumë seriozisht për ta organizuar të gjithë këtë proces dhe për ta draftuar këtë projekt kur ai të jetë i kompletuar për t’u paraqitur në Kuvend.”-tha Xhafaj.

Në përfundim, ai vlerësoi mbështetjen e institucioneve ndërkombëtare që kanë kontribuar në procesin e hartimit të ligjit:

“Falenderoj OSBE-në dhe Këshillin e Europës me ekspertët përkatës të cilët kanë qenë partnerë aktivë në këtë ekspertizë, lidhur me këtë Komision.”-përfundoi Xhafaj.