Teksa pak ditë më parë në media u publikua lajmi se ish-ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, është larguar nga detyra në Departamentin e Shtetit, mësohet se zyrtarja është pjesë e delegacionit që bën pjesë në grupin negociator e bisedimeve mes Turqisë dhe Sirisë.
Mediat turke raportojnë se një delegacion nga Departamenti i Thesarit të SHBA-ve, i kryesuar nga Anna Morris, ushtruese detyre e Zëvendës Ndihmës Sekretares për Luftën kundër Financimit të Terrorizmit, mbërriti në Turqi më 20 korrik.
Qëllimi i vizitës është zhvillimi i takimeve me zyrtarë qeveritarë nga Turqia, Iraku dhe Siria, si dhe përfaqësues të institucioneve financiare në Ankara dhe Stamboll.
Sipas deklaratës së Konsullatës së Përgjithshme Amerikane në Stamboll, vizita e delegacionit synon të eksplorojë mënyra për të forcuar bashkëpunimin në fushën e luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Deklarata thekson gjithashtu se delegacioni amerikan do të hedhë dritë gjatë takimeve mbi vendimin e presidentit Donald Trump për heqjen e sanksioneve ndaj Sirisë, si dhe mbi rëndësinë e angazhimit me politikën e “presionit maksimal” që ndjek administrata amerikane ndaj Iranit.
Po ashtu, deklarata shton se Departamenti i Thesarit të SHBA-ve është i gatshëm të ofrojë mbështetje për administratën e re siriane, me qëllim forcimin e kapacitetit të sektorit financiar për të përballuar aktivitetet e paligjshme./BigNews.al