Parma është skuadra e radhës që kërkon shërbimet e Armando Brojës. Sulmuesi i Kombëtares duket se i ka ditët e numëruara te Chelsea dhe paçka kontratës që e lidh me “Blutë” deri në verën 2028, trajneri Enzo Maresca nuk e sheh si pjesë të projektit, duke e lënë në shtëpi dhe mos e marrë me vete në Kupën e Botës për Klube, aty ku Chelsea u shpall kampion.
Është gazetari i njohur italian, Nicolo Schira, që bën me dije se Parma ka shfaqur interes për Brojën. E sigurt është se Broja do duhet të sistemohet në një klub të ri, në huazim ose përfundimisht, me Chelsea që kërkon afërsisht 18 milionë euro për ta lënë të lirë produktin e akademisë.
I shoqëruar nga disa dëmtime, ylli i Brojës filloi të zbehej dhe dy sezonet e fundit djaloshi nuk e ka gjetur formën; ato paraqitje që e vendosën në faqet e para të medieve në Evropë.
Mbase një nisje e re në Serie A do i bënte mirë Brojës, i cili duhet të rifitojë besimin dhe të tregojë aftësitë që ka në këmbë. Veç Parmës, edhe klube nga Bundesliga apo Holanda kanë shfaqur interes për të marrë Brojën, të paktën në huazim.
Për momentin Broja është duke shijuar pushimet me të dashurën, duke u parë edhe në Shqipëri.