Kombëtarja shqiptare e futbollit do të zhvillojë një ndeshje miqësore ndaj Gjibraltarit më 4 shtator. Të dyja federatat kanë rënë dakord që kjo ndeshje të zhvillohet në Gjibraltar, në “Europa Point Stadium” në orën 18:00.
Në muajin shtator, Shqipëria ka vetëm një ndeshje zyrtare, atë kundër Letonisë në kuadër të kualifikueseve të Kupës së Botës 2026, që do të luhet më 9 shtator në stadiumin “Air Albania”. Për këtë arsye, stafi teknik ka vendosur të zhvillojë një miqësore, për të testuar gjendjen e lojtarëve para sfidës zyrtare.
Historia dhe Gjibraltari
Kjo do jetë hera e parë që dy skuadrat do përballen në një duel mes tyre. Në nëntorin e 2020 një miqësore ishte vendosur mes dy skuadrave në “Elbasan Arena”, por që u anulua për shkak të Covid-19. Tanimë gjithçka është lënë pas dhe duket se kushtet janë pjekur që dy kombëtaret të luajnë për herë të parë kundër njëra-tjetrës. Rival modest për skuadrën e Sylvinhos, me Gjibraltarin që ndodhet në vendin e 196-të në renditjen e FIFA-s për skuadrat kombëtare.