Të gjithë maturantët, të cilët duan të vijojnë studimet e larta në universitete, sot, 3 gushti është afati i fundit që të aplikojnë për programet që dëshirojnë të ndjekin përmes portalit “U-Albania”.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu u ka kujtuar të gjithë maturantëve në një postim në rrjetet sociale se “sot është dita e fundit për të përzgjedhur 10 programet e studimit në raundin e parë të aplikimit në universitetet tona”.

Më herët, ministrja Manastirliu bëri me dije se procesi i aplikimit dhe regjistrimit realizohet online në portalin universitar “U-Albania”.

Kandidatët, përpara aplikimit për zgjedhjen e preferencave në portalin e aplikimit universitar, kryejnë pagesën e tarifës së aplikimit në vlerën 2000 lekë, në zyrat e Postës Shqiptare apo në bankat e nivelit të dytë, nëpërmjet faturës për arkëtim, të cilën e shkarkojnë në portalin “U-Albania”.

Pagesa kryhet deri në datën 28 korrik 2025. Pas dorëzimit të mandatit të pagesës, sekretaritë e shkollave konfirmojnë pagesën e kryer brenda datës 28 korrik, në portalin “U-Albania”.

Më tej, realizohet aplikimi online dhe për këtë periudha e përcaktuar është 29 korrik deri në 3 gusht. Në këtë periudhë, maturantët zgjedhin 10 programe studimi.

Më 29 gusht deri në 11 shtator është faza e regjistrimit në Institucionet e Arsimit të Lartë, ndërsa do të ketë publikim real të renditjes, që do të bëhet në 7 faza 48-orëshe përgjatë 14 ditëve.

Në fund është faza e çregjistrimit, për të cilën është caktuar një kohëzgjatje dyditore, nga 12-13 shtator.