Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi masat e sigurisë arrest me burg për 10 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Bankers. Sipas hetimeve, “Bankers”, dyshohet se ka përfituar në mënyrë të paligjshme 244 milionë lekë nga kreditimi i TVSH-së gjatë viteve 2018–2019.
Dhjetë personat e dyshuar për çështjen “Bankers Petroleum Albania LTD” kërkuan ndryshimin e masës së sigurisë, por Apeli la në fuqi ato parapraket. Personat akuzohen për evazion fiskal dhe pastrim parash. Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura për shkak të natyrës së çështjes dhe kërkesës së palëve për ruajtje të konfidencialitetit.
Për këtë çështje janë lënë në arrest me burg CEO-ja aktual i kompanisë, Hongping Xiao dhe ish-drejtori, Leonidha Çobo. Ndërkohë tetë punonjësit e tjerë të kompanisë janë lënë pesë në arrest shtëpie dhe tre në detyrim paraqitjeje nga Gjykata e Shkallës së Parë.
Në “Bankers Petroleum” u zbulua një skemë abuzimi, me miliona euro dëm në kurriz të shtetit shqiptar. Në kuadër të hetimit u lëshuan 14 masa sigurimi, 9 u ekzekutuan dhe 5 të tjerë u shpallën në kërkim. Zyrtarët akuzohen për veprat penale ‘fshehje të të ardhurave’, ‘pastrim parash’, ‘shpërdorim detyre’ dhe ‘moskryerje detyrash nga organet tatimore’. Hetimet e Prokurorisë së Fierit kanë zbuluar se kompania shmangu detyrimet tatimore duke deklaruar humbje për 20 vite. Edhe pse ‘Bankers’ nga viti 2004 deri në 2024 eksportoi dhe shiti brenda vendit 532 mld lekë naftë, por ka deklaruar humbje për vite me radhë, duke shmangur tatimet. Ndaj edhe dëmi i dyshuar në buxhetin e shtetit përmes përfitimit fiktiv të TVSH-së llogaritet në miliona euro.