Më 20 maj të vitit 2023, Gazment Bardhi u zgjodh kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Nën këtë veshje, dhe me një shpurë deputetësh që e përkrahnin, ai iu imponua grupit të Sali Berishës, kur të dyja palët u bashkuan. Nën drejtimin e tij, PD ndërmori një seri aksionesh jo pak të suksesshme në parlament. Rikthimi në shtator, në legjislaturën e re, vë në pikëpyetje nëse Bardhi do të vijojë të jenë në krye të deputetëve.

Emri i tij është më i kuotuari në radhët e deputetëve dhe Sali Berisha nuk ka artikuluar asnjë fjali që mund të lëkundin pozitat e Bardhit, por burime thonë se në selinë blu ka nisur të qarkullojë edhe emri i një prej 4 nënkryetarëve të tjerë të PD-së që mund të marrë drejtimin e grupit.

Bëhet fjalë për Luçiano Boçin, që në parlament këtë herë futet si i pari i listës së Shkodrës, të cilën PD pavarësisht tkurrjes së votave arriti që ta mbajë blu.

Statuti i PD në fakt përcakton në nenin 51 se PDSH ka dy nënkryetarë. Njëri prej nënkryetarëve është kryetar i Grupit Parlamentar.

Kaq do të mjaftonte që Boçi, si një nga 2 nënkryetarët e zgjedhur bashkë me Oerd Bylykbashin, të kërkojë drejtimin e grupit parlamentar.

Bardhi u shtua si nënkryetar partie për shkak të rolit si drejtues i grupit, përmes një dispozite tranzitore e cila nuk u reflektua në asnjë rast si pjesë e statutit. Po ashtu, në atë rast, bashkë me të, nënkryetar i katërt u bë edhe Agron Gjekmarkaj që mban postin e nënkryetarit të Kuvendit.

Por, as karrigia e tij nuk është e sigurt. Në PD thonë se Oerd Bylykbashi, po e sheh jo pa ambicie këtë post, jo vetëm për shkak të angazhimit të gjatë në emër të PD në parlament, por edhe për shkak të besnikërisë së palëkundur ndaj Berishës.

Për drejtimin e 3 komisioneve parlamentare që i takojnë opozitës, nuk duket të ketë surpriza dhe vend për përplasje. Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë pritet t’i mbetet Albana Vokshit. Numri i lartë i votave që mori në Tiranë, në listën e hapur, duket se e ka mbrojtur pozitën e Jorida Tabakur në krye të Komisionit për Çështjet Europiane. Ndërsa Ina Zhupa, ndër deputetet më aktive, nuk ka gjasa të humbasë Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik.