Pas bilancit të policisë, se në rreth 3 muaj janë identifikuar 137 autorë të zjarrvënieve, 46 prej të cilëve të arrestuar, ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama. Në një reagim në rrjetet sociale, kryeministri thotë se numri i zjarrvënësve këtë sezon është rritur, e po ashtu sipas tij, shënohet edhe numri më i madh i kapur nga forcat e rendit.
Kontrollet do të vijojnë, shton kreu i qeverisë, edhe me ndihmën e teknologjisë.
“Policia e Shtetit ditë natë në këmbë për identifikim dhe kapjen e zjarrvënësve, në një sezon me një rritje të numrit të tyre po edhe me numrin më të madh të kapur nga forcat e rendit.
Gjatë muajve qershor – korrik dhe deri më 14 gusht:
• 137 autorë të zjarrvënieve të identifikuar
• 46 të arrestuar
• 91 të proceduar penalisht
Forcat Kombëtare të Sigurisë, “Shqiponja”, patrullat e përgjithshme dhe forcat operacionale, nën drejtimin e drejtorive vendore dhe Drejtorisë së Përgjithshme, do të vijojnë në terren dhe me ndihmën e teknologjisë do të mundësojnë dorëzimin para drejtësisë të këtyre kriminelëve që meritojnë ndëshkime maksimale.”, shkruan Rama.