Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se Çertifikata e Aftësimit Profesional (CAP) do të integrohet automatikisht në lejen e drejtimit, duke u pasqyruar me Kodin 95.

Sipas tij, kjo risi shmang nevojën për kartonin e veçantë të CAP-it, duke thjeshtuar procedurat dhe duke ulur shpenzimet për qytetarët.

“Një tjetër hap drejt modernizimit e thjeshtimit të shërbimeve. CAP tani është pjesë e lejes së drejtimit si Kodi 95”, – u shpreh Rama.

Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR) njoftoi se nga data 19 gusht 2025 ka hyrë në fuqi aplikimi i kësaj risie të rëndësishme për të gjithë drejtuesit e mjeteve që zotërojnë CAP.

“Në zbatim të standardeve më të mira europiane, CAP nuk do të lëshohet më si një karton më vete, por do të përfshihet automatikisht në lejen e drejtimit, duke u pasqyruar si Kodi 95 në të njëjtin dokument”, – thuhet në njoftimin e DPSHTRR.

Konkretisht, qytetarët nuk do të pajisen më me një karton të veçantë për CAP, pasi të gjitha të dhënat do të pasqyrohen në lejen e drejtimit. Aplikimi dhe rinovimi do të kryhen sipas procedurave ekzistuese, ndërsa shënimi i Kodit 95 do të pasqyrohet në dokumentin e vetëm të lejes së drejtimit.

Ky ndryshim sjell kursim kohe dhe shpenzimesh për qytetarët, duke shmangur aplikimet e përsëritura, pagesat shtesë dhe ecejaket e panevojshme. Me një procedurë të thjeshtuar, drejtuesit e mjeteve do të kenë tashmë vetëm një dokument të unifikuar, duke e bërë përdorimin më praktik dhe më të sigurt.

Gjithashtu, kjo risi përputhet me standardet e Bashkimit Evropian, ku Kodi 95 pasqyrohet në lejen e drejtimit, siç aplikohet në disa vende të BE-së.

Përfitime sjellin si për aplikantët e rinj, të cilët nuk do të paguajnë më për kartonin CAP, ashtu edhe për drejtuesit që rinovojnë, të cilët do të kenë gjithçka të përmbledhur në një dokument të vetëm. Po ashtu, edhe institucionet përfitojnë nga një administrim më i thjeshtë e i digjitalizuar.

Me këtë hap, DPSHTRR thekson angazhimin për të ofruar shërbime më të shpejta, më të lehta, më të lira dhe në përputhje me standardet evropiane për çdo qytetar.