Këtë të enjte skuadrat shqiptare janë të impenjuara në ndeshjet e kthimit, të vlefshme për turin e tretë evropian. Dinamo, Egnatia, Drita dhe Ballkani kanë detyrë të mbajnë lart stemat respektive, ndërsa kalimi në play-off do thoshte të ardhura shtesë për secilin prej tyre.
Ndeshjet e kthimit për turin e tretë të Conference League
Në “Air Albania” të Tiranës, duke nisur nga ora 20:45 Dinamo e Ilir Dajës pret kroatët e Hajduk Splitit. Ndeshja e parë foli 2-1 për gjigantët e Kroacisë, por Dinamo tregoi se futbolli është i barabartë paçka emrit në arenën ndërkombëtare. Në këtë duel pritet të jenë edhe afro 1500 tifozë miq, me grupimin ‘Torcida’ që njihet për mbështetjen që i jep ekipit. ‘Blutë’ kërkojnë një gol për ta dërguar ndeshjen me shtesë dhe pse jo të shpresojnë te mrekullia, paçka se Hajduk është më i avantazhuar.
Në ‘Arena Egnatia’ të Rrogozhinës (21:00), Egnatia kampione e Shqipërisë pret Olimpijan e Ljubljanës. Ndeshja e parë në Slloveni përfundoi 0-0 dhe rrogozhinasit duan një gol për të kënaqur 5 mijë tifozët në stadium dhe një Shqipëri të tërë. Duke parë ndeshjen e parë dhe problemet e rivalëve, që kanë ndërruar edhe trajner, shanset që të besuarit e Edlir Tetovës të dalin me kokën lart nga përballja janë reale dhe të dëshiruara.
Në stadiumin ‘Tallaght’ të Dublinit, irlandezët e Shamrock Rovers presin Ballkanin e Orges Shehit. Suharekasit fituan para një jave 1-0 në Prishtinë dhe shkojnë të avantazhuar kundër një emri të madh. Do jenë 90 minutat e sotme që nisin në orën 21:00 që do vendosin ekipin që kalon më tej.
Ndeshja e kthimit për turin e tretë të Europa League
Në orën 20:00 në ‘Fadil Vokrri’ të Prishtinës, kampionët e Kosovës, Drita, pret rumunët e Steauas së Bukureshtit. Ndeshja e parë në udhëtim foli 3-2 për FCSB, që përmbysi avantazhin e dyfishtë të Dritës. Të besuarit e Zekerija Ramadanit nuk duan të bëjnë gabimin e një jave më parë dhe një gol mjafton për të vendosur rivalët nën presion dhe për ta dërguar ndeshjen në shtesë.