Fondacionet për Shoqëri të Hapur, të themeluara nga George Soros dhe aktualisht të drejtuara nga djali i tij, Alex Soros, kanë reaguar pas akuzave të presidentit Donald Trump, duke i cilësuar pretendimet si të pabazuara dhe kërcënimet ndaj drejtuesve të tyre si të papranueshme.

Në deklaratën zyrtare thuhet:
“Fondacionet për Shoqëri të Hapur të themeluara nga George Soros dhe të kryesuara nga Alex Soros, nuk mbështesin dhe as nuk financojnë protesta të dhunshme. Akuzat që pretendojnë të kundërtën janë të pavërteta, dhe kërcënimet ndaj themeluesit dhe kryetarit tonë janë të papranueshme.”

Organizata rithekson përkushtimin ndaj parimeve demokratike dhe të drejtave të njeriut:
“Misioni ynë është të avancojmë të drejtat e njeriut, drejtësinë dhe parimet demokratike në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën.”

Në vijim, Fondacionet për Shoqëri të Hapur theksojnë mbështetjen e tyre për të drejtat kushtetuese në SHBA, përfshirë lirinë e shprehjes dhe protestën paqësore:
“Ne qëndrojmë në mbrojtje të lirive themelore të garantuara nga Kushtetuta e SHBA-së, përfshirë të drejtat për lirinë e shprehjes dhe protestën paqësore, që janë shtylla kryesore të çdo demokracie të gjallë.”