Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa festoi dje 30-vjetorin e datëlindjes, ndërsa ka zbuluar për fansat disa foto nga festa me miqtë dhe partnerin e saj Callum Turner. Dua shfaqet në superformë dhe plot energji. Këngëtarja ndau edhe një mesazh të gjatë, përmes së cilit falënderon familjen, miqtë dhe fansat, të cilët e kanë mbështetur në rrugëtimin e jashtëzakonshëm në botën e muzikës.
“Ky vit i fundit rreth diellit ka qenë, pa asnjë dyshim, më i bukuri deri tani. Dhjetë vitet e shkuara kanë qenë një udhëtim i pabesueshëm, shumë më i madh nga çdo ëndërr që kisha bërë ndonjëherë… vitet e mia ’20 ishin thjesht magji. Jo pa sfida apo momente të sikletshme, por të mbushura me më shumë dashuri, gëzim dhe mësime sesa mund ta kisha imagjinuar ndonjëherë. Jam thellësisht mirënjohëse për çdo hap të këtij udhëtimi dhe gjithçka që më ka çuar deri këtu,” – shkruan ajo.
Në mesazhin e saj, Dua Lipa falënderon në veçanti prindërit, Dukagjin dhe Anesa Lipa, duke theksuar se falë tyre ajo, motra dhe vëllai i saj janë ndjerë gjithmonë të lirë për të ëndërruar pa kufij.
Për të gjithë ata që kanë qenë në këtë rrugëtim me mua – nga klubet e vogla deri te Ëembley Stadium, kudo në botë – faleminderit që e keni lënë muzikën të jetë vendi ku jemi takuar, rritur dhe kemi ndarë kaq shumë nga jeta bashkë. Çdo moment e mbaj me vete dhe kurrë nuk do të ndal së qeni mirënjohëse. Pjesa më e bukur është që e di se ka ende shumë përpara… dhe që do ta përjetojmë krah për krah,” – shton këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare.
Dua Lipa gjithashtu njoftoi se pas pak ditësh rikthehet në turneun e madh me albumin Radical Optimism, që do të përfshijë Kanadanë e SHBA-në deri në fund të vitit.
“E dua këtë jetë, e dua këtë udhëtim, dhe nuk e marr kurrë si të mirëqenë asnjë moment të saj. Ja për 30 vitet e ardhshme e më tej… gjithçka bëhet vetëm më e bukur,” – përfundon Dua Lipa postimin e saj.