Nga Skënder Minxhozi/
Po e humbim mesa duket edhe një rast tjetër për të treguar si shtet se i njohim dhe i zbatojmë rregullat e zgjedhjeve dhe kodet “kalorsiake” që lidhen me to. Ato kode që thonë fjala vjen se humbësi duhet të njohë rezultatin dhe të urojë fituesin, ose që pala humbëse të bëjë analizën e atyre faktorëve e rrethanave që e çuan në humbje. Ose më tej akoma, (mos o Zot!) kodin e mbajtjes përgjegjësi për humbjen, duke u larguar nga timoni i partisë. Aq më tepër kur e ke shkruar në statut diçka të tillë!
Asgjë e tillë nuk ndodhi këtë verë, pasi u shfaq i qartë rezultati i zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, ku Partia Demokratike mori njërën ndër humbjet më përcëlluese të historisë së saj 34 vjeçare. Gjatë gjithë verës, në vend të analizës së shkaqeve që çuan në rezultatet katastrofike elektorale, Berisha dhe lista e ngushtë e besnikëve që flasin për inerci sa herë që ai jua kërkon diçka të tillë, vijuan të përpiqen në angazhimin sizifian për të bindur shqiptarët se ata fituan, por jua vodhën fitoren.
Sot Berisha, teksa përgatitet të paraqitet në derën e Kuvendit bashkë me 49 deputetë të tjerë për të marrë mandatet, deklaroi se opozita nuk do t’i njohë kurrë zgjedhjet. Një qëndrim klasik i tij sa herë që ka humbur zgjedhjet. Nuk ka njohur rezultatin, por ka zënë vendet në kuadratin e opozitës. Histori e vjetër tre dekada e gjysëm, e cila tregon se të gjithë ata që flasin për rinovim të partisë, hapje të saj, ndryshim krerësh lokalë e drejtuesish qarqesh, duhet të shohin më së pari nga zyra e numrit një. Aty ku merr formë lidershipi, ku caktohen piketat, aleancat, aty ku hartohen listat e kandidatëve dhe shefat e çdo lloji e ngjyre. Të atyre që humbën në 11 maj pasi kishin marrë bekimin e kryetarit.
Dyfaqësia, ambiguiteti, eklektizmi, qëndrimi në dy karrige, frazat me dy kuptime, mësalla me dy faqe – kjo është njëra ndër sëmundjet e lashta të elitës partiake në Shqipëri, e cila me kalimin e viteve është shndërruar në një shkollë të vërtetë politike ku janë farkëtuar shumë karriera aparatçikësh të të gjitha formave e peshave.
Ajo që Berisha thotë nuk i bën kuptim as një fëmije, por është krejt e pranueshme e normale në një mjedis ku të gjithë i shkelin syrin njëri-tjetrit teksa dëgjojnë nonsensin e mosnjohjes së zgjedhjeve por të pranimit të mandateve parlamentare. “E mo dhe ju e dini si është Doktori, ai jep sinjalin djathtas dhe timonin e pret majtas”, të thonë më pas, si kanë hequr kostumin partiak dhe kanë veshur atë të qytetarit të zakonshëm që marazin ndaj njëshit e shet vetëm nën zë si mall ekzotik kafenesh.
Për kalendarin politik të Shqipërisë, jetën e saj institucionale dhe shtetërore, silogjizmi veror i opozitës nuk ka asnjë peshë dhe rol. Rama qesh i kënaqur pas syzeve të tij të kuqe teksa dëgjon kërcënimin steril të Berishës, ndërsa në dorë mban letër e laps për qeverinë e re. Në anën tjetër në PD e kanë pranuar prej kohësh atë që ndodhi në zgjedhje dhe e kanë lënë vetëm Doktorin që të luajë piruetën finale të mbylljes së telekomedisë së zgjedhjeve të 11 majit. Duhet një dalje në çdo akt skenik. Një të tillë po luan Berisha.
50 burra e gra përgatiten të hyjnë në Kuvend për të katërtën herë si deputetë opozitarë. Ky është i vetmi lajm. Mosnjohja e zgjedhjeve është si një vazo e vjetër që mbahet për ekspozim në një dhomë me dritare të mbyllura ku prej 12 vitesh nuk hyn as dielli, as ajri../Javanews