Dua Lipa ka ndarë detaje intime nga marrëdhënia me të fejuarin, aktorin Callum Turner, duke e cilësuar lidhjen e tyre si një histori dashurie të rrallë.

Në një intervistë për Harper’s Bazaar US, këngëtarja me origjinë shqiptare rrëfeu se ndihet e bekuar që ka gjetur një dashuri të tillë.

E dua dashurinë. Është një gjë e bukur, vërtet frymëzuese. E gjen veten duke rënë kaq intensivisht në mënyrën më të mirë të mundshme. Është e frikshme, por ndihem me fat që e ndiej. Për një kohë të gjatë jam mbrojtur, ndërsa tani po e lë veten të lirë,” tha Dua.

Çifti u përfol për herë të parë në janar 2024, duke e konfirmuar lidhjen disa muaj më pas. Fejesa erdhi gjatë Krishtlindjeve të po atij viti, të cilën këngëtarja e përshkroi si një “vendim për t’u plakur së bashku”. Ajo e quajti Turner “shokun e saj më të mirë përjetë”.

Në rrëfimin e saj, artistja pranoi gjithashtu se dëshiron të ketë fëmijë në të ardhmen, por ende nuk ka vendosur se si amësia do të ndërthuret me karrierën muzikore.

Sa i përket dasmës, planet janë në pritje për shkak të angazhimeve profesionale, megjithatë Dua ka nisur të mendojë për fustanin e bardhë dhe nuk e fsheh se është “e fiksuar” me unazën e saj të fejesës.

Këngëtarja kujtoi edhe momentin e parë me Turner në Londër, të cilin e cilësoi si të destinuar: “Një mijë për qind, mendoj se ishte e shkruar të ndodhte.”