Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar kërkesë-padinë e deputetes demokrate të kësaj legjislature për qarkun e Durrësit, Andia Ulliri dhe nuk e legjitimon si palë paditëse, pas ankimimit të saj ku kërkon mandatin e deputetes si kandidate për zgjedhjet e 11 majit, nga kuotat gjinore për atë qark, mandat që e ka fituar ish-prokurori i shkarkuar nga vettingu, Arjan Ndoja në listën e hapur.

Deputetja e PD pas daljes nga Kolegji tha:

“Pas kësaj seance ndjej keqardhjen se si u trajtua kjo seancë, pavarësisht pretendimeve ligjore që nuk ishin me vend, siç ishte vendimi se ne nuk jemi palë e legjitimuar, ndërkohë që kaluan dy seanca në KAS e KQZ ku jemi legjitimuar si palë e interesuar dhe sot kuptuam se një pjesë e kësaj drejtësie që ne aspirojmë mungon dhe nuk mund të bësh as pretendime ligjore”, tha kandidatja Ulliri mes të tjerash.

Ndërsa e nisi fjalën e tij me një ironi direkte për trupën gjykuese të Kolegjit, që “sakrifikoi pushimet” për të zhvilluar seancën, avokati Indrit Sefa u shpreh:

“Në radhë të parë falënderoj trupin gjykues që sakrifikoi nga pushimet e tyre për të mbajtur seancën. Kërkesa është bërë që në datën katër dhe është jashtë afateve ligjore, duhet të ishin mbledhur brenda 10 ditëve. Përveç kësaj, për të mos sakrifikuar më shumë nga pushimet e tyre, ata i ranë shkurt çështjes. Nuk dëgjuan as argumentet e palëve. Si përfundim nuk e legjitimoi me një justifikim absurd dhe standard shumë të cunguar dhe interpretim të gabuar të ligjit. Pra, kandidatët Kolegji nuk i quan më as si qenie juridike. U munduam të shpjegojmë se nuk po kundërshtojmë rezultatin e zgjedhjeve, por për një vendim që sjell efektin mbi individin Andia Ulliri, që kërkont ë mbrojë të drejtën e vetë. Ne e dinim standardin e vendimeve të Kolegjit Zgjedhor apo KAS-it, siç edhe ndodhi, por duhet ta bënim këtë për të hapur rrugën për në Gjykatën Kushtetuese. Vendim i pashpjegueshëm”.

Ulliri ishte rrëzuar edhe më herët nga KQZ dhe nga KAS-i, pasi sipas tyre kuotat gjinore janë respektuar brenda listës së mbyllur dhe të hapur të qarkut të Durrësit dhe nuk mund të konsiderohen të dy listat si një e tërë, siç pretendon ankimuesja.

Pra, sipas KAS-it, që Ulliri të kishte të drejtë në pretendimin e saj, duhet që të ishin tre deputetë burra në listën e hapur të zgjedhur dhe ajo të bënte betejën ligjore për ta marrë mandatin e kandidatit të tretë. Me këtë vendim i jepet fund betejës në formë të prerë, por Ulliri ka të drejtën ta çojë edhe më tej çështjen, deri në Kushtetuese.