Burime ukrainase në Shtëpinë e Bardhë kanë konfirmuar për BBC se bisedimet mes presidentit amerikan Donald Trump, presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe liderëve kryesorë evropianë kanë përfunduar sot pasdite.
Gjatë këtij takimi të rëndësishëm në Shtëpinë e Bardhë, Trump ndërpreu papritur bisedimet për të zhvilluar një telefonatë direkte me presidentin rus Vladimir Putin.
Në takim morën pjesë presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Friedrich Merz, kryeministri britanik Keir Starmer, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, presidenti finlandez Alexander Stubb dhe sekretari i NATO-s Mark Rutte.
Qëllimi i takimit ishte diskutimi i mënyrave për të ndihmuar Ukrainën në përballjen me agresionin rus dhe gjetja e një zgjidhjeje diplomatike. Zelenskyy kërkoi mbështetje të fortë për integritetin territorial të Ukrainës, duke theksuar se paqe e qëndrueshme mund të arrihet vetëm nëse nuk bëhen koncesione territoriale.
Ndërprerja e papritur e Trump për të telefonuar Putinin shkaktoi tension mes aleatëve evropianë, të cilët ritheksuan se çdo dialog duhet të zhvillohet në koordinim të plotë me Kievin dhe mbi bazën e respektimit të sovranitetit ukrainas.
Trump propozoi që Europa të marrë barrën kryesore për sigurinë e Ukrainës, duke sugjeruar një model të ngjashëm me nenin 5 të NATO-s, por pa përfshirje të drejtpërdrejtë të forcave amerikane. Ai dhe Zelenskyy shprehën shpresë për një takim të mundshëm të trefishtë me Putinin si hap drejt një zgjidhjeje paqësore.