Një incident i pazakontë ka ndodhur në fshatin Vleshë, Dibër, ku një person pretendon se është pronari i Ujit të Ftohtë. Në këtë zonë shumë njerëz nga fshatrat përreth Dibrës ose Kukësit, apo dhe vizitorë të tjerë vijnë për të përmirësuar shëndetin e tyre në këtë burim ujor, që shërben për të ndihmuar njerëzit që vuajnë nga reumatizma.

Por në këtë rast vizitorët janë ndaluar me forcë të kenë qasje në këtë burim të rëndësishëm publik. Banorët tregojnë se pronari i pretenduar i ujit i largon vizitorët duke përdorur kërcënime dhe dhunë verbale, duke thënë: “Ikni, me të mirë, ose me dajak.”

“Përshëndetje! Ujit të ftohtë në Vleshë, të njësisë administrative Sllovë, Dibër, i del pronari. Shiko çfarë bëhet! Aty është uji i ftohtë kurativ, që historikisht është frekuentuar nga njerëzit. Ai person pretendon të jetë pronari i ujit dhe po i largon njerëzit me forcë. Thotë: “Ikni, me të mirë, ose më dajak.” Me pak fjalë, bëhet pengesë për njerëzit dhe i kërcënon. Ndoshta institucionet (policia) duhet të ndërhyjnë”, shkruan qytetari për JOQ.

Qytetari i ka bërë thirrje institucioneve, veçanërisht Policisë, që të ndërhyjnë sa më shpejt për të zgjidhur këtë konflikt dhe për të garantuar qasje të lirë dhe të sigurt në Ujin e Ftohtë. Burimi me ujë të pastër dhe të ftohtë, del në kontaktin midis gëlqerorëve dhe rreshpeve dhe është kthyer në një destinacion të preferuar për turistët dhe të sëmurët nga e gjithë Shqipëria. Shumë prej tyre besojnë se uji ka veti shëruese, sidomos për sëmundjet reumatizmale./ZËRI