Më 15 gusht 2025, qyteti i Anchorage në Alaska u kthye në epiqendrën e një manovre të pazakontë diplomatike: Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, mirëpriti në tokë amerikane presidentin rus Vladimir Putin, në një takim që, pavarësisht mungesës së rezultateve konkrete, u cilësua nga të dy si “hap përpara drejt paqes në Ukrainë.” Për të tjerët, ishte një farsë politike me impakt të thellë gjeostrategjik.

Samiti i Alaskës nuk solli ndonjë marrëveshje, nuk preku ndalimin e agresionit rus, dhe as nuk përmendi Krimenë apo Donbasin në një gjuhë detyruese. Por solli diçka tjetër: një përplasje të ashpër mes etikës dhe nevojës për realpolitikë. Në këtë përplasje, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është kapur mes dy zjarresh zjarri i dinjitetit moral dhe ai i mbijetesës së një kombi të lodhur nga lufta.

Zelensky mes dy dilemave: të qëndrosh i palëkundur apo të shpëtosh vendin me çdo kosto

Presidenti ukrainas, i cili është bërë simbol i rezistencës në epokën moderne, ka qenë konsistent në deklaratat e tij: Putin është një kriminel lufte. Në fjalët e tij, ai është një lider që ka “lyer duart me gjakun e civilëve ukrainas”, një figurë që meriton Hagën, jo tapetin e kuq të Alaskës. Dhe megjithatë, i njëjti Zelensky, vetëm një ditë më parë, kërkoi një takim të trefishtë: ai vetë, Putin dhe Trump për të diskutuar një marrëveshje paqeje.

Kjo nuk është hipokrizi. Kjo është tragjedia e liderit që përballet me realitetin brutal të luftës dhe kufizimet e diplomacisë globale. Kjo është ndoshta forma më e vështirë e udhëheqjes, të ulësh kokën, jo sepse ke frikë, por sepse populli yt ka nevojë për paqe më shumë sesa për betejë.

Presidenti Trump, me gjuhën e tij të zakonshme të “artit të marrëveshjes”, i dha Putinit atë që ai kishte vite që kërkonte: legjitimitet ndërkombëtar në skenën amerikane. Dhe këtë e bëri pa asnjë kusht, pa përmendur ndonjë tërheqje nga territori ukrainas, pa asnjë lëshim të matshëm nga Kremlini. Kreu i Kremlinit doli nga samiti më i fortë se kurrë, duke marrë një dhuratë të papritur, një tavolinë botërore ku ai nuk është më agresori i izoluar, por një aktor legjitim i paqes.

Kjo është ajo që shqetëson më shumë Zelensky-n dhe aleatët europianë, fakti që në përpjekjen për të arritur paqen, bota mund të fyejë drejtësinë. Nëse një kriminel lufte siç e përshkruan Kievi mund të pranohet si palë barabartë në negociata pa u ndëshkuar për krimet e tij, çfarë mesazhi po u dërgohet viktimave? Dhe më tej: çfarë precedentësh po vendosen për konfliktet e ardhshme?

Por nëse lëmë moralin mënjanë për një moment dhe shikojmë rrugën që ka përpara Ukraina, atëherë lind pyetja: a ka zgjedhje tjetër Zelensky?

E vërteta është kjo, Putin është ende president i Federatës Ruse. Ai ka fuqi politike, ushtarake dhe ekonomike që asnjë sanksion nuk e ka shkatërruar plotësisht. Derisa të jetë në pushtet, ai është pala e domosdoshme për çdo marrëveshje. Dhe kjo e bën realpolitikën një akt brutal por të paevitueshëm.

Zelensky e kupton këtë. Ai nuk është naiv. Ai e di që nëse dëshiron të mbrojë popullin e tij, të ndalë gjakderdhjen dhe të rindërtojë vendin, nuk ka asnjë rrugë tjetër përveç negociatave. Dhe për ta bërë këtë, ai duhet të ulët në të njëjtën tryezë me armikun e tij më të madh një njeri që nuk e respekton, që e ka poshtëruar publikisht, dhe që ka dërguar raketat e tij mbi fëmijët e Ukrainës.

Në diplomaci, të ulesh me armikun nuk është akt tradhtie, por zgjedhje strategjike. Historia është e mbushur me liderë që kanë bërë paqe me duar të përgjakura për të shpëtuar miliona jetë: Churchill me Stalinin, Nixon me Mao-n, Sadati me Begin-in. Këto nuk ishin miqësi, por akte të llogaritura të mbijetesës kombëtare.

Zelensky sot është përballë të njëjtës zgjedhje: të qëndrojë fort mbi parime, apo të shkelë mbi to për të dhënë paqe. Dhe në këtë përplasje, ai nuk humbet vlerat ai i teston ato në mënyrën më të dhimbshme të mundshme.

Në fund, ajo që ndodhi në Alaska nuk ishte një fitore, por një dritare një shans i vogël për të filluar një rrugë të gjatë dhe të ndërlikuar drejt paqes. Trump ofroi një skenë, Putin e përdori si një fitore diplomatike, por Zelensky mbetet lojtari më i vështirë i këtij ekuacioni. Ai është i vetmi që mund ta legjitimojë paqen por në të njëjtën kohë, i vetmi që ka barrën morale për ta bërë këtë pa e tradhtuar sakrificën e popullit të tij.

Nuk është hero vetëm ai që lufton hero është edhe ai që zgjedh të ndalë luftën, kur kjo vjen me çmimin e dinjitetit personal. Sepse ndonjëherë, vetëm një paqe e papërsosur mund të shpëtojë një komb të përgjakur./Lexo.al