Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, presidenti ukrainas Volodymyyr Zelensky u shpreh se Evropa duhet të jetë e bashkuar për të arritur paqen.

“Është thelbësore që Evropa të jetë aq e bashkuar tani sa ishte kur filloi lufta në vitin 2022 dhe se kjo do të ndihmojë në arritjen e paqes së vërtetë”, u shpreh Zelensky.

“Putini ka shumë kërkesa, por ne nuk i dimë të gjitha”, shtoi ai.

Ai theksoi se do të duhet kohë për t’i shqyrtuar ato, por se është “e pamundur ta bësh këtë nën atë presion të armëve”.

Zelensky shtoi se një samit trepalësh midis Ukrainës, Rusisë dhe SHBA-së është i nevojshëm, por Rusia nuk jep “asnjë shenjë” se kjo do të ndodhë.

“Nëse Rusia refuzon, atëherë duhet të pasojnë sanksione të reja”, tha ai.

Zelensky tha po ashtu se është mirënjohës ndaj presidentit Trump dhe SHBA-së që ranë dakord të punojnë me Evropën për t’i ofruar Ukrainës garanci sigurie, por se “nuk ka detaje se si do të funksionojë kjo”.

“Ashtu si neni 5 i NATO-s, dhe ne e konsiderojmë anëtarësimin në BE si pjesë të garancive të sigurisë”, thotë ai.