Pesë tragete mbërritën paraditen e sotme në portin e Durrësit duke sjellë mijëra udhëtarë dhe qindra automjete. Edhe dita e sotme kishte fluks të ngarkuar udhëtarësh, shumica e të cilëve janë emigrantë që kthehen për të kaluar pushimet. Të shumtë janë edhe të huajt që vijnë në vendin tonë, ndërsa arsyet janë të ndryshme.
“Jam nga Londra, mbërritëm tani në Durrës dhe jemi një grup shokësh që udhëtojmë me biçikleta. Do të mbërrijmë në Kostanca të Rumanisë”, u shpreh një turist.
Disa të rinj kanë udhëtuar nga Brazili dhe janë të interesuar për të studiuar historinë e periudhës otomane.
“Ne jemi nga Brazili, erdhëm në kuadër të një projekti nga UNESCO dhe do të studiojmë periudhën otomane në vendin tuaj. Do ta fillojmë nga Durrësi dhe më pas të shohim”, thanë ata..
Nuk mungojnë as turistët e aventurës si këta dy të rinj që vijnë nga Republika Çeke.
“Ne jemi nga Republica Çeke dhe na pëlqejnë aventurat. Do akomodohemi për 6 ditë të kalojmë mirë me pak shpenzime. Ne preferojmë të flemë jashtë në tenda dhe ku të mundemi”, u shprehën ata.
Kjo është java e fundit që në port aplikohen linjat e dyfishta, duke rikthyer normalitetin dhe fluksin e zakonshëm të lëvizjeve.