Spanja ka kërkuar zyrtarisht ndihmën e vendeve fqinje evropiane për të luftuar zjarret e pyjeve që po shkrumbojnë veriperëndimin e vendit, sipas radios franceze “RFI”.

Ministri i Brendshëm, Fernando Grande-Marlaska, tha se Spanja i është drejtuar mekanizmit të ndihmës së Bashkimit Evropian për të përballuar të paktën 14 vatra zjarri që po shkatërrojnë vendin.

Ndër të tjera, është kërkuar dërgimi i dy avionëve zjarrfikës të tipit “Canadair”, duke parashikuar përkeqësimin e situatës.

Në një intervistë për median lokale *Cadena SER*, Grande-Marlaska tha se vendi është i gatshëm të kërkojë më shumë ndihmë, përfshirë edhe zjarrfikës shtesë, kur të jetë e nevojshme.

Mekanizmi i ndihmës, i krijuar nga Komisioni Evropian në vitin 2001, u mundëson 27 vendeve anëtare të BE-së dhe 10 vendeve të tjera të ndihmojnë njëra-tjetrën në raste emergjencash.

Zjarret që po përfshijnë Spanjën

Të nxitura nga temperaturat ekstreme dhe erërat e forta, zjarret kanë shkatërruar mijëra hektarë në disa rajone të Spanjës, ashtu si edhe në vende të tjera të Evropës, veçanërisht në Francë dhe Portugali.

Aktualisht, 14 vatra të mëdha zjarri janë aktive në veriperëndim të vendit, kryesisht në rajonet e Kastiljes dhe Leones si dhe në Galici.

Dy persona kanë humbur jetën në zjarret në Kastile dhe Leon, ndërsa shtatë të tjerë u shtruan të mërkurën në spital.

Më shumë se 8 000 persona janë evakuuar si masë paraprake për shkak të dy zjarreve në provincat Leon dhe Zamora.

Sipas presidentit të Galicisë, Alfonso Rueda, çdo ditë po shuhen rreth 30 zjarre në rajon.

Rreth 11 500 hektarë janë djegur, veçanërisht në provincën Ourense, ku zjarrfikësit nuk kanë arritur të vënë nën kontroll një vatër të madhe në Chandrexa de Queixa.