Pas përfundimit të edicionit të sivjetshëm të Festivalit Sunny Hill, këngëtarja me famë botërore Dua Lipa ka zgjedhur që të kalojë disa ditë relaksi në jugun piktoresk të Shqipërisë.
Këngëtarja shqiptare, e cila ndezi skenën në natën e parë të festivalit me një performancë energjike që mblodhi artistë ndërkombëtarë dhe adhurues të muzikës nga e gjithë bota, ka ndarë me ndjekësit e saj në rrjetet sociale një moment të veçantë nga pushimet e saj në rivierën shqiptare.
Në një postim në Instagram, Dua ka publikuar një fotografi mahnitëse të bregdetit shqiptar, ku shfaqet një perëndim dielli mbi ujërat kristal të detit Jon. “Arrita në shtëpi me kohë për këtë perëndim të mrekullueshëm të diellit”, ka shkruar ajo në mbishkrimin e fotos, duke reflektuar lidhjen e saj të fortë emocionale me vendin e origjinës.
Prej vitesh, Dua Lipa është shndërruar në një nga ambasadoret më të mëdha të kulturës dhe turizmit shqiptar dhe kosovar. Përmes muzikës së saj, intervistave në mediat ndërkombëtare dhe përkushtimit për promovimin e trashëgimisë kulturore, ajo ka kontribuar ndjeshëm në rritjen e profilit të Shqipërisë dhe Kosovës në skenën botërore.
Përveç përfaqësimit të identitetit të saj shqiptar në çdo paraqitje, Dua Lipa ka folur gjuhën shqipe në shumë emisione ndërkombëtare dhe është shprehur vazhdimisht me krenari për rrënjët e saj. Së fundmi, ajo u nderua me shtetësinë e Kosovës, e dhënë me dekret presidencial nga Presidentja Vjosa Osmani, përveç shtetësive shqiptare dhe britanike që ajo mban prej vitesh.