Franca po përballet me një nga fatkeqësitë natyrore më të mëdha në dekada, ndërsa një zjarr masiv në jug të vendit ka djegur mbi 17,000 hektarë tokë, duke u cilësuar si zjarri më i madh që nga viti 1949.

Zjarri shpërtheu në rajonin Corbières Massif, në departamentin Aude, dhe është përhapur me shpejtësi për shkak të erërave të forta dhe temperaturave ekstreme që arrijnë mbi 40°C.

Një person ka humbur jetën në Saint Laurent De La Cabrerisse, tre janë zhdukur dhe disa të tjerë janë të lënduar. Afro 2,000 banorë janë evakuuar nga zona të rrezikuara, shumë prej të cilëve janë strehuar në qendra emergjente.

Ministri i Brendshëm francez, Bruno Retailleau, në një reagim për këtë emergjencë tha se është sipërfaqja më e madhe e djegur nga një zjarr i vetëm në Francë që nga viti 1949.

Janë shkatërruar mbi 36 shtëpi, ndërsa dhjetëra të tjera janë dëmtuar rëndë.

Më shumë se 2,000 zjarrfikës dhe punonjës emergjence janë angazhuar për të përballuar flakët, të mbështetur nga avionë zjarrfikës dhe helikopterë. Ushtria franceze është gjithashtu mobilizuar për të ndihmuar në zonat më të goditura.

Ky zjarr përbën një sinjal alarmi për të gjithë rajonin e Mesdheut, i cili këtë verë është goditur rëndë nga temperatura rekord dhe thatësira.

Artikulli i BBC