Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë vendosur të zgjasin masën e paraburgimit për ish-presidentin Hashim Thaçi.

Së bashku me të, në paraburgim do të mbesin edhe Bashkim Smakaj, Isni Kilaj dhe Fadil Fazliu, të cilët përballen me akuza për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, së bashku me ish-ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi.

Sipas vendimit të gjyqtares së procedurës paraprake, masa e paraburgimit është cilësuar si “e nevojshme dhe proporcionale”. Gjykata argumenton se ende ekziston dyshimi i bazuar se Thaçi ka kryer veprat penale për të cilat akuzohet dhe se ka rrezik për arratisje apo ndërhyrje në procesin gjyqësor.

Dhomat e Specializuara do të vazhdojnë ndjekjen e procedurave ndaj të akuzuarve në kuadër të hetimeve për krime të pretenduara gjatë dhe pas luftës në Kosovë.