Qeveria ka miratuar vendimin për të lehtësuar përballimin e kostos së strehimit për disa kategori të veçanta, duke ofruar mundësinë e një kredie me interes 0%, e cila do të subvencionohet nga buxheti i shtetit.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur sot se programi i mbështetjes përfshin disa kategori të rëndësishme të shoqërisë dhe një nga përfitimet e këtij programi është një grant i menjëhershëm prej 20% të çmimit të banesës, i cili do t’u ofrohet familjeve të punonjësve të rendit që kanë rënë në detyrë dhe fëmijëve në përkujdesje të Republikës, një nismë që synon të mbështesë ata në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të ndihmojë në lehtësimin e barrës financiare.

“Mund të përfitojnë nga ky program familjet e punonjësve të Policisë së Shtetit që kanë rënë në detyrë, fëmijët në përkujdesje të Republikës si dhe familjet qiramarrëse në ish-prona private. Një nga përfitimet e këtij programi është një grant i menjëhershëm prej 20% të çmimit të banesës, i cili do t’u ofrohet familjeve të punonjësve të rendit që kanë rënë në detyrë dhe fëmijëve në përkujdesje të Republikës, një nismë që synon të mbështesë ata në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të ndihmojë në lehtësimin e barrës financiare”, tha Gonxhja.

Për ata që duan të aplikojnë për këtë mundësi, procesi është i thjeshtë.

Së pari, ata duhet të hyjnë në portalin e-Albania, ku mund të kërkojnë shërbimin “Aplikim për përfitim kredie me 0% interes – Enti Kombëtar i Banesave”. Pasi të plotësojnë formularin elektronik dhe të ngarkojnë dokumentacionin e kërkuar, ata mund të dërgojnë aplikimin.

Aplikimi mund të bëhet në çdo kohë, pa afat të caktuar dhe nuk kërkohet thirrje nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI).