Vetëm pak ditë pas prezantimit nga Kryeministri Edi Rama të aplikacionit më të ri digjital për denoncimin e zaptimit të paligjshëm të hapësirave publike, rezultojnë deri më tani 4923 denoncime nga qytetarët.

Janë 735 raste të raportuara nga qytetarët që kanë marrë zgjidhje deri më tani, ndërsa pjesa tjetër rezulton në proces shqyrtimi nga autoritetet.

Përmes portalit “Hapësira ime publike” qytetarët do të kenë mundësi që të denoncojnë rastet e zënies së trotuareve, ndërtimet pa leje apo shkelje të lejes, zaptime anës rrugëve kombëtare, parkingje private të paligjshme apo shkelje të tjera në dëm të pronës publike.

Ky aplikacion vjen si pjesë e një nisme më të gjerë të qeverisë për mbrojtjen e interesit publik dhe rritjen e transparencës e pjesëmarrjes qytetare në administrimin e hapësirës urbane.

Denoncuesi mund të vetëidentifikohet përmes portalit e-Albania, ose të qëndrojë në anonimat.

Në rast të mosreagimit nga ana e autoriteteve brenda 24 orëve, qytetarëve u jepet mundësia e ankimit përmes një tjetër formulari.