Lirimi i hapësirave publike po vijon në gjithë territorin, ndërkohë që në dispozicion të qytetarëve për denoncimin e rasteve është vënë në dispozicion edhe portali “Hapësira ime publike”.

Në më pak se 24 orë nga vënia në funksion e këtij portali janë regjistruar 2383 problematika të raportuara, ndërsa kanë marrë zgjidhje 12 prej tyre dhe pjesa tjetër po shqyrtohet.

Kjo iniciativë e re e qeverisë në përballjen me problemin e hapësirave publike të zaptuara, i jep mundësi qytetarëve të denoncojnë duke bashkëlidhur foto dhe video për 7 problematika të ndryshme.

Në rast se qytetarët nuk marrin përgjigje për ankesën e parë brenda 24 orësh, në portal është vendosur në dispozicion një formular për ndjekje të mëtejshme të problematikës.

Në portalin “Hapësira ime publike” mund të denoncohen të gjitha rastet që shqetësojnë komunitetin duke nisur nga zënia e trotuareve, parkimet e paligjshme, ndërtime pa leje, dëme të pronës publike, ndotje fizike apo akustike të hapësirës publike, zaptim të rrugëve kombëtare, përfshirë kantieret e ndërtimit me rrethime të pasigurta.

Më herët sot, kryeministri Edi Rama ftoi qytetarët të denoncojnë në portalin “Hapësira ime publike” rastet e shkeljeve që konstatojnë.

“Në rast se brenda 24 orësh nuk ka reagim, keni mundësi të denonconi dhe mungesën e reagimit për institucionet përkatëse, gjë që do të vendosë përpara përgjegjësisë ata njerëz prej të cilëve me të drejtë kërkojmë përgjegjësi që të gjithë”, siguroi ai.