Në kuadër të aksionit të ndërmarrë prej disa ditësh për lirimin e hapësirave publike, është hapur edhe portali ‘Hapësira ime publike’. Kryeministri Edi Rama, i cili bëri të ditur hapjen e portalit ashtu siç edhe kishte paralajmëruar më parë, e cilëson një dritare të re komunikimi në mbrojtje të hapësirës publike.
“Mirëmëngjes dhe me këtë dritare të re komunikimi për të bashkuar forcat në mbrojtje të hapësirës publike, ju uroj fundjavë të qetë”, ka shkruar kryeministri Rama.
Në këtë portal, qytetarët do të kenë mundësi që të denoncojnë rastet e zënies së trotuarave, ndërtimet pa leje apo shkelje tëe lejes, zaptime dhe ndotjes anës rrugëve kombëtare, parkingje private të paligjshme apo shkelje të tjera në dëm të pronës publike.
Në rast mosreagimi brenda 24 orëve nga institucionet përkatëse, mund të plotësohet edhe një formular për ankesën. Deri më tani, nga të dhënat, janë denoncuar 11 raste në portal.
Pak ditë më parë, kreu i qeverisë, teksa paralajmëroi ndëshkime të forta pë rata që vazhdojnë të uzurpojnë hapësirat që i përkasin komunitetit, njoftoi edhe portalin.