Vendet evropiane duan që Presidenti Trump të vendosë avionë luftarakë amerikanë në Rumani, si pjesë e garancive të sigurisë nga SHBA për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, mëson The Times.

Shefa të lartë ushtarakë evropianë po diskutojnë vendosjen e avionëve amerikanë F-35 në Rumani, ku NATO po ndërton bazën më të madhe ajrore në Evropë, për të penguar Rusinë nga një pushtim i ri.

Të hënën, Trump përjashtoi dërgimin e trupave amerikane në terren në Ukrainë, por tha se ishte i gatshëm të siguronte mbështetje “ajrore” si pjesë e garancive të sigurisë nga SHBAa, sipas The Times.

Pas atij takimi, ku morën pjesë Presidenti Zelensky dhe udhëheqës evropianë, shefat e ushtrisë u mblodhën në Uashington për të diskutuar logjistikën e mbështetjes amerikane.

Gjenerali Dan Caine, kreu i shtabit të përbashkët amerikan, priti gjeneralët kryesorë nga Britania, Gjermania, Franca, Finlanda dhe Italia për të diskutuar garancitë e sigurisë amerikane.

Aktualisht, NATO kryen misione patrullimi ajror mbi Detin e Zi nga baza ajrore Mihail Kogălniceanu në Rumani — e cila ishte një qendër për forcat amerikane gjatë luftës në Irak, dhe është vendndodhja më e mundshme për avionët amerikanë.

Përveç avionëve luftarakë amerikanë në Rumani, vendet evropiane duan garanci për përdorimin e vazhdueshëm të satelitëve amerikanë për GPS dhe zbulim në Ukrainë. Ato kërkojnë një angazhim amerikan për të furnizuar Ukrainën me raketa mbrojtëse ajrore Patriot dhe Nasams për të zmbrapsur sulmet ruse, si dhe leje për të ngritur avionë spiunë mbi Detin e Zi.

RAF ka kryer misione zbulimi me avionët Rivet Joint që në ditët e para të luftës, por këta avionë të prodhuar nga Boeing kërkojnë miratimin amerikan për të fluturuar.

Si pjesë e asaj që quhet “koalicioni i të gatshmëve”, Britania ka ofruar të vendosë avionë luftarakë Typhoon në Ukrainën perëndimore dhe një brigadë prej 3,000–5,000 trupash për të trajnuar ushtrinë ukrainase. Franca, Kanadaja dhe Australia mund të dërgojnë gjithashtu trupa në Ukrainën perëndimore.

Megjithatë, Rusia është kundër vendosjes së çdo trupe perëndimore. Të mërkurën, Sergey Lavrov, ministri i jashtëm rus, tha se Moska dhe Pekini duhet të kenë të drejtë vetoje për mbështetjen ushtarake perëndimore ndaj Ukrainës dhe shtoi se bisedimet e NATO-s për garancitë e sigurisë ishin një “rrugë pa krye”.

Lavrov tha se garancitë e sigurisë të diskutuara mes Rusisë dhe Ukrainës në Stamboll në vitin 2022 ishin një “shembull shumë i mirë” i asaj që Kremlini do të miratonte. Sipas atyre propozimeve, pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së — Kina, Rusia, Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca — do të kishin secili fuqinë të vendosnin veto për mbështetjen ushtarake ndaj Ukrainës. Një marrëveshje e tillë do t’i jepte Kremlinit mundësinë të bllokonte çdo përpjekje për të ndihmuar Ukrainën.

Të mërkurën, Lavrov shmangu një përgjigje të qartë lidhur me një takim mes Putinit dhe Zelenskyt.
Shtëpia e Bardhë tha të hënën se një takim i tillë duhet të mbahej përpara se Trump të ofronte të ndërmjetësonte në një samit trepalësh. Lavrov tha të mërkurën se Putini po “merrte në konsideratë ngritjen e nivelit të krerëve të delegacioneve” në bisedimet ekzistuese mes dy palëve.

Tre raunde bisedimesh për paqe në Stamboll këtë vit nuk kanë sjellë shumë përparim dhe janë trajtuar me shpërfillje nga Kremlini. Negociatori kryesor rus në ato bisedime ishte Vladimir Medinsky, ish-ministër i kulturës.

Lavrov tha: “Pas bisedës telefonike [të hënën] me presidentin amerikan Donald Trump, presidenti ynë, Vladimir Putin, propozoi jo vetëm vazhdimin e këtyre bisedimeve, por edhe marrjen në konsideratë të ngritjes së nivelit të krerëve të delegacioneve.

“Ne jemi të hapur për çdo format. Por kur bëhet fjalë për takime në nivelin më të lartë, ato duhet të përgatiten me kujdes maksimal në çdo fazë paraprakisht, në mënyrë që samitet të mos e përkeqësojnë situatën, por të sjellin një përfundim real të negociatave që ne jemi gati t’i vazhdojmë.”

Admirali Sir Tony Radakin, komandanti i forcave të armatosura britanike dhe shefi i shtabit të mbrojtjes, mori pjesë në bisedimet në Pentagon të mërkurën. Radakin gëzon besimin e ukrainasve dhe më parë ka ndërmjetësuar në tensionet mes Kievit dhe Uashingtonit.

Radakin gjithashtu u bashkua në një takim virtual me shefat e mbrojtjes të NATO-s, ku aleatët diskutuan mbështetjen e tyre për Ukrainën.