Corriere della Sera

“Do t’ju çudis, por për një herë nuk jam pesimist. Donald Trump është në gjendje të thyejë kokëfortësinë e Vladimir Putin-it. Me atë përzierjen karakteristike të tij të kërcënimeve dhe lajkave, ai do të përpiqet ta bindë presidentin rus që të ‘mos zhgënjejë një mik’ dhe, rrjedhimisht, të ndalë disi luftën. Mund të ja dalë.”

Janë ditë pune intensive për të gjithë ata që prej katër vitesh i quajmë si ekspertë, analistë apo vëzhgues, ndonjëherë mirë të informuar, qofshin besnikë ndaj Kremlinit apo opozitarë në mërgim.

Kërkesat për intervista, sidomos nga mediat amerikane, ofertat për artikuj, pyetjet për deklarata të thjeshta, të gjitha janë simptoma të etheve të gushtit që janë ndezur pas njoftimit për takimin e nesërm në Alaskë.

Abbas Gallyamov bën pjesë në kategorinë e dytë. Vetëm 53 vjeç, ai ka një histori personale që në disa pika përputhet me historinë e vendit të tij.

Në fillim të viteve 2000, ai ishte sekretari i shtypit dhe zëdhënës i partisë liberale “Unioni i Forcave të Djathta”, krijesë e Egor Gajdar, Boris Nemtsov dhe Anatoly Chubais, e cila synonte të ishte një alternativë ndaj putinizmit në rritje, por u fundos për shkak të tradhtive dhe përçarjeve midis liderëve.

Nga viti 2008 deri në vitin 2010, e gjejmë si shkrues të fjalimeve për kryeministrin e atëhershëm Vladimir Putin.

Më pas u kthye në Republikën e Bashkortostanit, ku kishte filluar karrierën e tij politike, si zëvendëskryetar i administratës së presidentit. Më pas u shkëput, pastaj organizoi disa fushata zgjedhore për kandidatët demokratë. Në filli të vitit 2022, ai u shpall agjent i huaj dhe emigroi në Izrael.

Opinione të forta, shpesh të mprehta, të formësuara për publikun e diasporës ruse që e ndjek masivisht në rrjetet sociale. Por në këtë rast, Gallyamov ndjen se ka një mundësi për një kthesë, sado të pjesshme.

“Sipas meje, takimi i nesërm nuk do të sjellë një ndalim të plotë të luftimeve. Më shumë ka gjasa të kufizohet në atë që ata e quajnë ‘armëpushim ajror’. Nuk e di nëse do të përfshijë edhe vijën e frontit, por është e mundur që të bien dakord të mos godasin prapavijat e njëri-tjetrit. Por nuk besoj që nuk do të ketë fare rezultat. Do të ishte një dështim shumë i madh për të dyja palët. Dhe nëse gjatë takimit të fundit me Steve Witkoff-in në Kremlin nuk do të ishte arritur diçka e denjë për t’u konfirmuar nga një takim personal mes presidentëve, nuk do të takoheshin fare.”

Gallyamov kundërshton edhe tezën se Putin e ka tashmë fitoren në xhep, sido që të shkojnë gjërat.

“Situata mund të përmblidhet me një shprehje ruse: mbrëmja ka pushuar së qeni romantike. Rusia ka ende një rezervë të qëndrueshmërisë, por nuk është më aq e fortë. Nëse Trump fillon të ushtrojë presion serioz, Rusia mund të përjetojë atë që po kalon Irani: një vend i pasur me naftë e gaz, por që ankohet për mungesë të energjisë elektrike. Putin ende nuk është ngjeshur pas murit dhe mund të rezistojë, sigurisht.

Por burimet ekonomike po shterojnë, dhe ai po fillon ta kuptojë këtë. Trump-i, ndërkohë, dëshiron të arrijë disa ndryshime, të paktën këtë armëpushim në qiell. Dhe po e nxit: ose i pranoni kushtet e mia, ose takohemi dhe më shpjegoni pse nuk mundeni, dhe më pas së bashku mendojmë si të dalim nga kjo, sepse jam lodhur duke ju shpëtuar gjithmonë. Larg dritës mediatike të takimit vetë, nuk më duket se presidenti rus ka ndonjë forcë të madhe në negociata.”

Qëndrimi i Trump-it është ndryshe, të paktën në pikën e nisjes. “Ai mund t’i thotë Putinit një të vërtetë të pamohueshme: po të ofroj kushte të mrekullueshme, dije që askush tjetër nuk do të t’i ofrojë. Biden donte për presidentin rus Gjykatën e Hagës dhe burgun? Unë të ofroj: joanëtarësimin e Ukrainës në NATO, njohjen tonë për Krimenë, pjesën tjetër të Donbasit, heqjen e sanksioneve dhe biznese që do të ishin një shpëtim për Rusinë’.

Mendoj se Putin e di që Trump është një bashkëbisedues i rehatshëm, por njëkohësisht do të kishte dashur të fitonte edhe më shumë kohë. Tani do t’i duhet të japë diçka. Të paktën projekte të mëdha të përbashkëta, shitje rafinerish të mëdha, projekte për gazin, dhe diçka, natyrisht, në Ukrainë. Ndoshta edhe gjetkë, për shembull në Venezuelë. Për Putin-in, Trump është një dhuratë nga qielli, por që nuk duhet shpërdoruar, në asnjë rast. Përndryshe, mbrëmja e Rusisë mund të errësohet me të vërtetë.”