Këngëtari Jozefin Marku ka thyer heshtjen lidhur me lajmet se lënda plasëse që iu vendos një banese në Fushë Kuqe, kishte atë në shenjestër.
“Rreth asaj që po flitet për mua, nuk është e vërtetë. Organet shtetërore kanë nxjerrë një deklaratë shumë të qartë se ku ka ndodhur, ndërsa portalet hamendësojnë sikur të ishin pjesë e asaj ngjarjeje, ishte për të e për atë. Ju detyrohem t’ju sqaroj që nuk qëndron kështu e vërteta. Faleminderit për secilin nga ju që ka shprehur merakun me mesazhe“, tha ish-banori i BBVA.
Ndërkohë, Policia vijon hetimet lidhur me ngjarjen e dy ditëve më parë.
Lënda plasëse ishte vendosur në portën e jashtme të murit rrethues të banesës, ku dyshohet se ndodhej dhe këngëtari.
“Rreth orës 04:20, në portën e jashtme të murit rrethues të banesës së shtetases M. D. (alias M. B.) është hedhur një sasi e vogël lënde plasëse, e dyshuar si artizanale,” thuhej në njoftimin e policisë.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe territorit përreth, rezultoi se porta e murit rrethues të banesës ishte dëmtuar lehtë nga shpërthimi i lëndës plasëse, e dyshuar artizanale.
Në vijim të veprimeve, grupi hetimor gjeti në rrugë, në afërsi të banesës, disa gëzhoja në dukje të vjetra, të cilat u sekuestruan dhe administruan në cilësinë e provës materiale.