Policia ka anisur hetimet për një 33-vjeçar holandez pasi u filmua në zonën e Pazarit të Ri në Korçë duke dhunuar vajzën e tij. Ai shihet teksa kap të miturën dhe e tërheq për flokësh, teksa vogëlushja qante.
Vajza mbahej për dore nga nëna e saj, e cila nuk reagoi në asnjë moment të dhunës së ushtruar nga i shoqi ndaj të miturës, ndërsa vazhdojnë rrugën.
Nga deklarimet e para dhënë para oficerëve të policisë gjyqësore, u konstatua se burri që ushtroi dhunë ndaj vajzës së mitur është babai i saj. Ai është identifikuar si M. U., 33 vjeç, shtetas holandez.
Në përfundim të veprimeve hetimore paraprake, materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë. Ndaj shtetasit M. U. është nisur procedim penal për veprën “Keqtrajtimi i të miturit”.
Policia vijon hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe apelon qytetarët që të denoncojnë çdo rast dhune apo keqtrajtimi ndaj fëmijëve.