Nga Lutfi Dervishi
Tribunali për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi që u ngrit më 1993, kur ende tymi dilte nga shtëpitë e djegura në Bosnje, nisi hetimet dhe arrestimet me një shpejtësi që, për standardet ndërkombëtare, quhej blitzkrieg.
Slobodan Millosheviçi, president i Serbisë, i quajtur i “Kasapi i Ballkanit” u arrestua në 2001, aktakuza u ngrit shumë shpejt, dhe gjykimi nisi në 2002 pra vetëm një vit pas arrestimit.
Tani kthehemi te Haga e Kosovës. U desh më shumë se një dekadë për ta ngritur një dhomë gjykimi dhe, edhe pasi u arrestuan ish-drejtuesit e UÇK-së në 2020, jemi në vitin e pestë të pritjes, me një proces që ecën më shpejtësinë e breshkës.
Në Tribunalin për Jugosllavinë , për krimet e luftës u gjykuan kryetar shtetesh, gjeneralë dhe arkitektësh të spastrimit etnik. Në Specialen për Kosovën, na u deshën pesë vjet për të verifikuar nëse një komandant lokal kishte dijeni për zinxhirin komandues. Dhe bëhet fjalë për UÇK një lëvizje vetëmbrojtëse kundër dhunës së armatosur dhe drejtuesin e saj Hashim Thaçi i cilësuar nga ish Presidenti SHBA -se Joe Biden si George Washingtoni i Kosovës.
Pra, një tribunal gjykoi përgjegjësit e masakrave masive në më pak kohë sesa kjo dhoma e Hagës, që duket i ka harruar të pandehurit në burg. Me këtë ritëm, do përfundojnë dënimet para se të mbarojë procesi.