Shoqëria Shtetërore e prodhimit të armëve, “KAYO SH.A” i ka dërguar një shkresë administratorit të “Panorama Group” Kino Buxheli të cilin e vë në dijeni për materialet e gjetura brenda ambienteve të cilat pas inventarizimit u dërguan pranë Rezervave të Shtetit.
Shoqëria KAYO ka publikuar sot përgjigjen për kreun e grupit mediatik Focus, Irfan Hysenbelliun.
Sipas institucionit në fjalë, presidenti i ‘News24’ dhe disa mediave të tjera ka pranuar ta dorëzojë vullnetarisht ndërtesën, mirëpo kjo nuk ka ndodhur as pas 48 orëve të afatit.
Një përgjigje, KAYO e ka edhe për pretendimet se janë grabitur dosje shumë të rëndësishme që mediat e Hysenbelliut po hetonin në lidhje me korrupsionin qeveritar dhe abuzime të tjera.
“Lirimi i ndërtesës është kryer në kushte të larta sigurie, në prani të forcave të armatosura, duke dokumentuar me procesverbal çdo send të ndodhur brenda saj. Pretendimet për fshirjen e materialeve të gazetarëve janë të pabazuara dhe të pavërteta.
Sipas shkresës “Materialet e gjetura brenda ambienteve, pas inventarizimit u dërguan pranë Rezervave të Shtetit, me adresë Rruga Bajram Tusha, pranë ish Gjykatës së Apelit, Shkozet, Durrës”
Administratori duhet të paraqitet personalisht pranë Rezervave të Shtetit si i vetmi person i autorizuar, për të marrë sa më parë sendet e gjetura dhe të inventarizuara në objekt. Kayo sh.a i ka bërë thirrje administratorit që t’i tërheqë të gjithë bazën materiale” – thotë shoqëria.