Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot lidhur me situatën e zjarreve në vend, duke e cilësuar këtë një ditë sakrifice dhe krenarie për të gjitha strukturat shtetërore që po punojnë pa ndërprerje në terren për shuarjen e flakëve. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Rama ka bërë një përditësim të detajuar të situatës, ku evidenton përfshirjen masive të forcave vendase dhe ndihmën ndërkombëtare në përballimin e emergjencës.
Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 34 vatra aktive, prej të cilave 13 janë izoluar dhe shuar. Në operacione janë angazhuar dhjetëra mjete zjarrfikëse dhe mbi 600 efektivë të Forcave të Armatosura, Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri, punonjës bashkiakë dhe forca vullnetare.
Në mbështetje të operacioneve janë përfshirë gjithashtu 5 helikopterë dhe një avion zjarrfikës Canadair, i sjellë nga Italia.
Kryeministri vlerëson gatishmërinë maksimale të strukturave shtetërore dhe thekson rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët europianë dhe Emiratet për përballimin e situatës.
Vatrat që kërkojnë ende vëmendje janë në Delvinë, Poliçan, Gramsh, Dropull, Finiq, Berat, Tepelenë dhe Bulqizë, ku operacionet ajrore dhe tokësore vijojnë intensivisht për të mbrojtur jetën e qytetarëve dhe pronën.