Qendra historike e fshatit Qeparo, ndodhet në bregdetin e Himarës dhe është një nga zonat më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore.

Ajo pasqyron një harmoni të rrallë mes arkitekturës dhe peizazhit natyror. E vendosur mbi kodra me pamje mahnitëse mbi detin Jon, ajo ruan kujtimet e një jete të thjeshtë mesdhetare dhe trashëgiminë e pasur kulturore të zonës.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale videon promovuese të Pandeli Cecos, pjesëmarrës në Konkursin Ndërkombëtar të Fotografisë dhe Video Reels “Wanderlust in Albania 2” të organizuar nga Agjencia Kombëtare e Turizmit.

“Një udhëtim në Qeparo, midis blusë së Jonit dhe gjelbërimit, me ftesën për një ecje nëpër rrugicat me kalldrëm të fshatit të vjetër, ku guri ruan kujtimet e shekujve, ndërsa aroma e agrumeve të përqafon me freskinë e saj”, u shpreh Rama, krahas pamjeve.

Qendra historike e fshatit Qeparo ruan një shtrirje urbane dhe ansambël karakteristik banesash të shekujve XVIII-XIX, të cilat pasqyrojnë mënyrën tradicionale të ndërtimit në zonat bregdetare.

Një karakteristikë e qendrës historike të Qeparoit është rrjeti rrugor me kalldrëm. Rrugicat pasqyrojnë mënyrën e organizimit shoqëror dhe ekonomik të qytetit.

Qeparoi është nga fshatrat më të vjetër të bregdetit shqiptar dhe ofron dëshmi të jetës dhe kulturës së banorëve vendas, ndër shekuj. Qendra historike e këtij fshati përfshin disa monumente kulture të shpallura, mes tyre banesa tradicionale dhe objekte fetare.