Vlora po pret këtë verë turistë nga e gjithë bota, të cilët zgjedhin të zbulojnë bukuritë e fshehura të bregdetit jonian, por edhe kulinarinë e mikpritjen vendase.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Vlora, ku shëtitorja e Lungomares por edhe rrugët e qytetit ofrojnë aktivitete dhe hapësira atraktive për çdo grup-moshë.

“Me buzëqeshjet e turistëve nga e gjithë bota në këtë fillim gushti, që shijojnë magjinë e Vlorës në shëtitjen e Lungomares”, u shpreh Rama.

Qyteti bregdetar i Vlorës është një nga qendrat më të rëndësishme turistike, ku “bashkohen” Adriatiku e Joni, me një numër të madh atraksionesh kulturore dhe natyrore.

Përveç plazheve në gjirin e Vlorës, Sazani dhe Karaburuni janë po ashtu destinacione tërheqëse për turistët vendas e të huaj, të cilët udhëtojnë nga porti i Vlorës me anije turistike.

E cilësuar si perla e Rivierës shqiptare, Vlora është tejmbushur këtë sezon me turistë vendas dhe të huaj të cilët shijojnë bregdetin shkëmbor me ujërat e kristalta.