Nga Bajram Hoxha/
Zjarret po përpijnë Shqipërinë. Gramshi dhe Delvina janë vetëm dy prej plagëve të hapura, ku thika ka prekur kockën dhe po na detyrojnë të shohim të vërtetën lakuriq. Flakët nuk fiken në gusht. Fiken me organizim, përgjegjësi dhe gatishmëri gjatë gjithë vitit.
Dikur, mbrojtja nga zjarri nuk ishte çështje sezoni. Fillonte në janar, me plane të detajuara, ekipe të trajnuara dhe disiplinë të hekurt. Kishte roje pyjesh, stacione gatishmërie dhe kontroll të përhershëm. Sot, organizimi është i copëzuar, ndërhyrja shpesh e vonuar dhe mjetet të pamjaftueshme.
Nuk është e drejtë të vendosësh në të njëjtën peshore një regjim demokratik me një regjim diktatorial. Por ne jemi i njëjti popull. Kur përballemi me fatkeqësi natyrore, sidomos me zjarret që shpesh ndez dora e njeriut, duhet të kemi të njëjtën sjellje mbrojtëse për tokën dhe mjedisin e përbashkët që na ka falur Zoti.
Paraardhësit tanë, gjyshërit dhe prindërit deri në vitin 1990, na lanë pyje të gjelbërta, ujë të pastër, tokë të sistemuar e të vaditshme. Ne i hymë me sopatë, me tritol dhe me zjarr. Sot, po u lëmë fëmijëve një tokë të djegur, pyje të rrafshura, me ekosisteme dhe mushkëri natyrore të shkatërruara. Tokën e vendit tënd nuk ta fal askush, por ama një tokë të djegur nuk e do askush.
Kemi dështuar si shtet, sepse nuk kemi organizimin, disiplinën dhe strukturën që dikur siguronte mbrojtjen e pyjeve. Kemi dështuar si shoqëri, sepse rrimë me shkrepse në dorë dhe pastaj vajtojmë për ullishtet, pyjet dhe shtëpitë që digjen.
Shteti nuk është një trup pa jetë. Është një organizëm i gjallë, me institucione dhe njerëz që hartojnë politika për ujërat, ajrin, pyjet dhe mjedisin. Shteti jemi ne. Kur dështojmë, dështojmë të gjithë.
Problemi nuk është vetëm zjarri. Është helmimi i shpirtit tonë. Zjarri në fshatin e komshiut shihet si bekim, edhe pse tymi helmon ajrin që thithim të gjithë. Ky helm nuk shuhet nga asnjë zjarrfikës.
Qeveria mund të bëjë raporte, të blejë mjete dhe të marrë masa. Por nuk mund të pastrojë ligësinë dhe babëzinë që është rrënjosur në marrëdhënien tonë me natyrën dhe me njëri-tjetrin.
Deri sa të kuptojmë se mbrojtja e natyrës është mbrojtje e vetvetes, çdo gusht do të na gjejë nën tym. Me zjarre në pyje dhe në ndërgjegje.
*Shënim: Tabela Gjeneruar me inteligjencë artificiale