Nga Jakin Marena
Kriza institucionale në Kosovë i kishte tejkaluar të gjitha pritshmëritë, teksa ishte kthyer nga një ngjarje tragjike në politikë, në një teatër komik, për nga mënyra e realizimit dhe funksionimit!
Zgjedhjet e zhvilluara dhe të certifikuara që në muajin shkurt të këtij viti, nuk kanë mundur që për afër 7 muaj me radhë të çojnë produktin e e dalë nga gara elektorale, në Kuvendin e Kosovës, pasi Kuvendi qëndroi pa zgjedhur kryetarin dhe pa u konstituuar deri në mesditën e sotme.
Për pasojë mbeti në ngërç dhe zgjedhja e qeverisë së re e cila do të udhëheqë Kosovën në këtë mandat katër-vjeçar, përballë sfidave të rëndësishme që po kalon Kosova, e cila ka si detyrim rritjen e njohjeve nga bota, integrimin në strukturat eurotlantike, përballimin e krizave rajonale dhe më gjërë, e mbi të gjitha qeverisjen dhe mirëqenien e popullit shqiptar të Kosovës.
Praktikisht në shtetin e Kosovës nuk funksionjnë as Kuvendi, as qeveria e cila është në detyrë, por që ministrat meqë kanë zgjedhur mandatin e deputetit nuk mund të marrin sipas ligjit dhe Kushtetutës asnjë vendim si ministra, e për pasojë nuk funksionojnë as institucionet e tjera kushtetuese në vend, duke e futur shtetin e dytë shqiptar në Ballkan në një kolaps të plotë!
Shqiptarët në Kosovë dhe këtej kufirit, por dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, kanë parë të shqetësuar ‘teatrin’ e klasës politike në Prishtinë për gati 7 muaj me radhë, teksa palët për asnjë moment s’kanë gjetur gjuhën e përbashkët për të arritur në ‘formulën’ për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit, dhe më pas konstituimin e tij, që do të pasonte dhe me ngritjen e qeverisë së re!
Asnjëra nga partitë politike nuk e kishte numrin e nevojshëm të deputetëve, pra 61 të tillë, që të zgjidhte kryetarin e Kuvendit dhe të votojë qeverinë e re! Albin Kurti, kreu i Vetëvendosjes është i pari në listën e subjekteve politike, për nga numri i deputetëve të marrë në zgjedhjet e shkurtit të këtij viti, por që fatkeqësisht për të krijuar shumicën e thjeshtë për kryetarin e ri të Kuvendit e qeverinë e re i duhen dhe 13 mandate të tjera! Të cilët do t’i gjente tek kundërshtarët!
Kreu i partisë së parë të dalë nga zgjedhjet e shkurtit të këtij viti, Albin Kurti, zgjodhi që të luajë rëndë ‘lojën’ e tij politike me qytetarët, shtetin e Kosovës, opozitën e vetë stabilitetin e vendit!
Albin Kurti, i cili pasi nuk realizoi asnjë njohje në 5 vite si kryeministër, pasi e armiqësoi rëndë Kosovën me partnerët tanë ndërkombëtarë SHBA, BE e Britania e Madhe, aq sa konkretisht BE vendosi sanksione për Kosovën, si të vetmin vend të sanksionuar në Evropë, ndërsa kryeministri dhe qeveritarët e tij trajtohen pothuajse si persona ‘non grata’ nga partnerët tanë, luajti rëndshëm me vetë themelet e shtetit të Kosovës, të vendosura me gjak e sakrifica me luftën e UÇK, duke e lënë atë pa Kuvend, qeveri dhe institucione të tjera që burojnë prej tyre, për 7 muaj me radhë!
Konkretisht, Kurti me 48 mandate në Kuvend, pa asnjë ftesë për kompromis por sikur ia kanë për detyrë deputetët e opozitës që ta votojnë, vendos kandidatë sipas qejfit, duke filluar me Ministren në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila i provokoi rëndë deputetët për gati 45 herë që të zgjidhej kryetare e Kuvendit dhe arriti deri tek 57 votat pro, larg numrit 61 që do të konstituonte zgjedhjen e saj në krye të legjislativit!
Kurti provoi më pas pa sukses që të zgjidhte Haxhiun kryetare Kuvendi, përmes kërkesës për të votuar me votim të fshehtë ngritjen e një komisioni votimi, po në mënyrë të fshehtë për kryetaren e Kuvendit! Një tentativë kjo e kryeministrit në detyrë për të ‘thithur’ ndonjë votë nga partitë e ish opozitës e mbi të gjitha, sikurse shprehen nëpër korridoret e politikës në Prishtinë, LVV i ka të sigurta votat e Listës Serbe në fshehtësi, pavarësisht gjuhës së ashpër që Kurti përdor ndaj tyre. Pavarësisht dhe kërkesave e vendimeve të përsëritura të tij, përmes KQZ për ta lënë jashtë zgjedhjeve vendore. E provoi dhe në zgjedhjet parlamentare, ku në shkallën më të lartë të mbikqyerjes së përgatitjes së zgjedhjeve e rrëzuan! Një ‘film’ i parë ky sa herë ka zgjedhje!
Një skemë e tillë e konstituimit të Kuvendit ra, teksa Gjykata Kushtetuese rrëzoi tentativën e Kurtit përmes kryesuesit të seancës Dehari për votimin e fshehtë, duke kërkuar sipas Kushtetutës votimin e hapur, ku palët të kërkojnë kompromis për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, ndërkohë që vendosi një afat 30 ditor për konstituimin e Parlamentit të Kosovës.
Pavarësisht konstestimit të këtij votimi, Kurti sërish hodhi sërish për votim Albulena Haxhiun, më pas Donika Gërvallën dhe në fund të herës Hekuran Muratin dhe Dimal Bashën. Të gjithë ‘skifterët’ e Kurtit kundër opozitës, UÇK-së por dhe vetë shtetit të Kosovës, që sipas gjasave po e çojnë drejt zhbërjes, ashtu sikurse e duan dhe e dëshirojnë serbët, që janë gati!
Albin Kurti nuk i kishte dhe nuk i ka votat. Në vend që të negocionte me partitë parlamentare të dala nga zgjedhjet e shkurtit për të zgjedhur kreun e ri të Kuvendit dhe më pas qeverinë e re, sillej sikur këto parti kundërshtare ia kanë me borxh votat për të bërë shumicën konstituuse dhe qeverisëse. Në vend që të shtrijë dorën e bashkëpunimit e të arrijë kompromis, që s’do të thotë vetëm të marrësh por dhe të japësh, Kurti lëshon fishkëllimën: ‘Psss-t, me duhen dhe 13-14 vota për kreun e ri të Kuvendit e qeverinë e re nga ju, m’i jepni, e keni për detyrë dhe detyrim karshi Kosovës’. Por Kosova i ka dhënë votat për të bashkëqeverisur si parti e parë jo për të qeverisur e vetme, e me votat e partive kundërshtare, PDK, LDK, AAK, “Nisma”, lista serbe e ajo jo serbe!
Një rast i tillë ka ndodhur në vitin 2009 në Shqipëri, kur PD e Sali Berishës mori siç di t’i marrë Berisha votat, 70 mandate deputeti, PS bashkë me Dulen 66 mandate, ndërsa LSI e Ilir Metës 4 mandate! I duhej vetëm një mandat Berishës për të konstituuar Kuvendin dhe formuar qeverinë e re ‘Berisha 2’, dhe u detyrua që pas koalicionit me Ilir Metën, t’i jepte për një votë, gati gjysmën e qeverisë, institucioneve e tërë hierarkisë drejtuese të shtetit! Përfshirë postin e zv.kryeministrit të vendit! Pra siç thonë rëndom këtëj e andej kufirit, për një votë ‘uli br***t partia e parë!
Ndërkohë Kurti u soll sikur ia kanë për detyrë votën, ndërkohë që për konstituimin e Kuvendit, me sa duket ka dashur të tallet me Kosovën, opozitën e qytetarët që e kanë votuar me 42 përqind të votave! Në tentativën e 58 për kreun e Kuvendit, këtë të martë, hodhi sërish në votim si kandidat deputetin Dimal Basha, i cili për habinë e të gjithëve mori dhe votat e një pjese të opozitës, duke arritur në 73 vota pro!
Pra, Kurti talli Dimalin me Kosovën dhe opozitën, por dhe opozita për herë të parë u tregua e ‘zgjuar’ këtë radhë dhe ia dha votat Dimalit për kryetar Kuvendi, duke tallur edhe ajo Dimalin me Kosovën e mbi të gjitha me Kurtin! I cili ndoshta nuk e priste që ta votonin këtë kandidaturë proverbiale të tij, për shkak se Basha është bërë ‘hit’ në rrjetet sociale! Por opozita e votoi, kryesisht PDK, AAK si dhe jo serbët, e tashmë kreu i Kuvendit është zgjedhur! Edhe sikur të kishte qënë më i miri tek Vetëvendosja, sërish sipas urdhrave të Kurtit do të vepronte. Ndaj mirë bëri që kryesisht PDK e zgjidhi këtë ngërç, por njëherësh nxori zbuluar se sa i vlerëson Kurti institucionet e shtetit Vetëvendosja, si parti e parë në vend e dalë nga zgjedhjet e shkurtit të këtij viti, duke propozuar dhe votuar për numrin dy të shtetit, Dimal Bashën.
Këtë e konfirmoi dhe kreu i LDK, Lumir Abdixhiku, i cili reagoi duke thënë se “Kosova, siç se kishim menduar asnjëherë. Një fitore e injorancës e një gabim i pafalshëm i mbështetësve të saj. Gjithsesi ky është niveli i tyre. Kështu e projektojnë Republikën. Me këto vlera kanë zgjedhur të nderojnë dhe votuesit e popullin e Kosovës. LDK aspiron më lart. Kosova duhet të aspirojë lart. Aksidentet politike e triumfet e injorancës historike do të kapërcejnë. Dritë një ditë do të ketë”. Duke lënë të kuptohet se institucionet e Kosovës janë poshtëruar me këtë figurë në krye të Kuvendit, dhe për më tepër duke e vendosur ‘stekën’ shumë poshtë, çka paralajmëron se me këtë ‘kut’ do të sillen dhe partnerët tanë ndërkombëtarë. Me këtë nivel do ta trajtojnë në çdo tryezë Kosovën, pavarësisht ndonjë vlerësimi tek tuk për zgjidhjen e ngërçit. Por gjithsesi, çdo popull, meriton Parlamentin dhe qeverinë që ka. Votuan LVV, Dimal Bashën do të kenë në krye.
Tani fillon sfida e vështirë për Kurtin, formimi dhe gjetja e votave për votimin e qeverisë së re prej tij! Nëse votat për Dimalin, ishin vota për ‘kunj’ nga PD dhe të tjerat, votimi i qeverisë ha diskutim! Albin Kurti duhet të negociojë rëndë, pasi i duhen shumë vota për të kapur numrin e ‘artë’ 61 vota pro! Për të cilat ose duhet të lëshojë pushtet, ose e drejta e krijimit të qeverisë së re i kalon partisë së dytë, PDK, e kështu me radhë nëse dhe ajo nuk arrin të gjejë numrat! E sigurtë është se në një formë apo tjetër, zgjedhjet e parakohëshme janë të paevitueshme në pranverën e ardhshme, sepse Vetëvendosja mezi gjeti votat, për Dimalin, ndërkohë që Presidenti kërkon 2/3 e votave në Kuvend E Dimali ndoshta do të ketë shansin e artë për të qënë dhe President i vendit, gjë që as në ëndrrën më të bukur të tij, por dhe të shqiptarëve të Kosovës nuk e kishin parë!
Me rëndësi është se skema e Kurtit për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare të parakohëshme në një datë me ato vendore, dështoi! Zgjedhja e Dimal Bashës në krye të Kuvendit, shmangu shumë probleme për hir të së vërtetës,pavarësisht slloganeve epike të tij, “me bo koncerte verës, kur të vinë diaspora. Mi livadh mi leshu nanat me lujt”, e gjëra të tjera të këtij lloji, të cilat do të ketë kohë të mjaftueshme t’i shumëfishojë dhe himnizojë më shumë në të ardhmen! Por, a do t’i lëshojë “nanat” tash si kryetar i Kuvendit? Mbetet për t’u parë. Por mund të krijojë edhe ndonjë problem, sepse deklaratat e tij ndaj SHBA, BE e partnerëve të tjerë ndërkombëtarë kanë qënë të ashpra, dhe përtej deklaratave normale, pavarësisht se vetë Dimali është shkolluar në SHBA. Ka deklaruar pikërisht ato për të cilat Kurti rezervohej të deklarohej publikisht. Mbetet për t’u parë nëse do të mundë të përbahet tashmë në qëndrime! Të presim e të shohim më tej!