Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se ka urdhëruar që dy nëndetëse bërthamore të pozicionoheshin në rajone pranë Rusisë në përgjigje të kërcënimeve nga ish-presidenti rus Dmitry Medvedev, i cili tha të enjten se Trump duhet të kujtojë se Moska kishte aftësi sulmi bërthamor të epokës sovjetike.

“Bazuar në deklaratat shumë provokuese të ish-Presidentit të Rusisë, Dmitry Medvedev, i cili tani është Zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurisë së Federatës Ruse, kam urdhëruar që dy nëndetëse bërthamore të pozicionohen në rajonet e duhura, në rast se këto deklarata budallaqe dhe nxitëse janë më shumë se kaq. Fjalët janë shumë të rëndësishme dhe shpesh mund të çojnë në pasoja të padëshiruara, shpresoj se ky nuk do të jetë një nga këto raste. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje”, ka shkruar Trump në “Truth Social”.

Përshkallëzimi nga Trump vjen në mes të një lufte fjalësh me ish-presidentin rus mbi përpjekjet e Trump për të bindur Rusinë t’i japë fund luftës së saj në Ukrainë.

Dje, Trump e quajti Medvedevin një “ish-president të dështuar”, duke shkruar në Truth Social se ai duhet të “marrë parasysh fjalët e tij” dhe se po “hyn në një territor shumë të rrezikshëm”.

Medvedev, i cili ishte kryeministër i Rusisë nga viti 2012 deri në vitin 2020 dhe është një mbështetës shumë i zëshëm i pushtimit të Ukrainës, e ka tallur ultimatumin e Trump ndaj Kremlinit për të arritur një marrëveshje paqeje.

“Trump po luan lojën e ultimatumit me Rusinë: 50 ditë ose 10… Ai duhet të mbajë mend 2 gjëra:

1. Rusia nuk është Izrael apo edhe Iran.

2. Çdo ultimatum i ri është një kërcënim dhe një hap drejt luftës.

Jo midis Rusisë dhe Ukrainës, por me vendin e tij. Mos ndiqni rrugën e Sleepy Joe”, shkroi Medvedev më herët në Twitter.