Situata në Delvinë është përshkallëzuar ndjeshëm mbrëmjen e sotme, ndërsa flakët po përparojnë me shpejtësi drejt një depozite karburanti në periferi të qytetit. Sipas burimeve nga terreni, zjarri ndodhet vetëm disa qindra metra larg objektit, ndërsa ndërhyrja e zjarrfikësve mungon ende në këtë zonë jetike.
Zjarri ka rrethuar qytetin nga veriu dhe lindja, duke detyruar autoritetet të evakuojnë banorët nga lagjet “Llakë” dhe “Xhermëhallë”. Policia vijon me paralajmërimet për të larguar edhe familje të tjera, teksa era e fortë e ka bërë të pamundur kontrollin e situatës.
Flakët i janë afruar edhe spitalit të qytetit, ku janë marrë masa për çmontimin e sistemit të oksigjenit, për të shmangur rrezikun e një shpërthimi. Të gjithë pacientët janë evakuuar dhe personeli mjekësor ndodhet në gatishmëri.
Ndërhyrja ajrore është e pamundur për shkak të errësirës, ndërsa në terren ndodhen dhjetëra forca të ushtrisë dhe zjarrfikëses nga Delvina, Saranda, Konispoli dhe Himara. Pritet mbërritja e forcave shtesë edhe nga Tirana.
Banorët raportojnë për tym të dendur dhe pamundësi për të parë qartë në disa zona, ndërsa dyshohet se disa banesa janë përfshirë nga flakët, por evidentimi i dëmeve është i pamundur për momentin.
Qyteti është pa energji elektrike dhe shumë familje po largohen në mënyrë të organizuar nga autoritetet. Policia dhe emergjencat civile u bëjnë thirrje qytetarëve të zbatojnë udhëzimet dhe të shmangin zonat e rrezikut.