Nuk do të më kishte shkuar mendja vetë, po të mos ma kishte kujtuar Linda: Nila, kam 12 vjet pa dalë në kopertinë.
Instinkti im gazetaresk reagoi menjëherë. U përpoqa të kujtoja se kur e kisha lexuar për herë të fundit një intervistë me Linda Ramën në një revistë. M’u kujtua vagullt se pas dasmës me Edin, diku nga marsi i vitit 2011, ajo ishte intervistuar nga Iva Tico. Martesa e tyre kishte ndodhur në vjeshtën e 2010-s, dhe këtë detaj e mbaj mend mirë: kur Edi Rama më prezantoi asokohe me Lindën, iu drejtua me një buzëqeshje dhe një shenjë gishtit nga unë: “Ja, një tjetër Basha përballë teje” – meqë Linda mbante ende mbiemrin e vajzërisë.
Për të qenë e sigurt, mora në telefon Arta Markun. Ajo më saktësoi se dalja e fundit e Lindës në kopertinën e një reviste kishte qenë në prill 2012, kur ishte ende bashkëshortja e liderit të opozitës. Linda e kujtonte mirë atë periudhë dhe e pranoi me kënaqësi ftesën për një intervistë të re, pas tre mandatesh qeverisjeje të bashkëshortit të saj.
Shpesh kemi thënë se ajo është natyrë diskrete – nuk flet shumë për veten, familjen apo fëmijët. Por këtë herë, do të suprizoheni. Në këtë bisedë, Linda u tregua e hapur për gjithçka: nga darkat familjare, tek zhvillimet më të fundit politike. Pa e kërkuar, u bë pjesë e fushatës zgjedhore të këtij viti, pas një letre të disa deputetëve të grupit parlamentar të PD-së, drejtuar institucioneve ndërkombëtare, ku kërkohej përjashtimi i saj si eksperte nga studimet e tyre.
Më shumë se gjesti, e preku thellë ideja që dikush mund të vinte në pikëpyetje thelbin e pushtetit të saj personal: profesionalizmin.
E pyeta për punën e saj, për familjen, për ritmin e vrullshëm të Rilindjes Urbane 2.0, përdebatin mbi sistemin fiskal, për marrëdhëniet ndërkombëtare, sfidat dhe idhujt që e frymëzojnë. Dhe, pas 13 vitesh – nga intervista në intervistë – vura re diçka që nuk kishte ndryshuar: rrëfimi i saj për familjen mbetet po ai, veçse tani fëmijëve iu janë shtuar nipi dhe, së fundmi, një mbesë. Por mbi të gjitha, Linda ka një mendim të prerë për realitetin shqiptar: nga beteja e përditshme me trafikun që duket i pafund, deri tek një projekt për arsimin që dotë donte ta bënte realitet.
Nga Anila Basha
Faleminderit që pranuat këtë intervistë për NEWSBOMB. Dua ta filloj thjeshtë dhe për së afërmi: si nis një ditë e zakonshme për ju? Zgjon Edi Lindën, apo Linda Edin? Apo është Zaho ai që ju zgjon të dyve? Si duket një ditë tipike për ju, larg syve të publikut?
Kur dita zbardh më gjen 100% të zgjuar. Kështu që zgjuesja jam unë qëkurse Zaho s’është më bebja që na zgjonte pa u gdhirë. Tani ai është në moshën kur shkëputja nga gjumi është e vështirë, megjithë të përkëdhelurat e mia dhe të Edit. Në kohë pushimesh, zgjimi i Zahos ndodh bashkë me pyetjen “mami ça do bëj unë sot?”. Ndërsa në kohën e shkollës, zgjimi pararendet nga lutja “aman të fle dhe pesë minuta, aman pesë minuta”. Dhe zgjat duart drejt meje symbyllur, që të më marrë edhe mua bashkë me ato pesë minuta. Kurse unë të them të drejtën ato pesë minuta nuk ja refuzoj edhe sikur të jemi vertetë shumë vonë për shkollë. Më kujtohet kur ishim në moshën e tij, të njëjtën lutje të përsëritur kishim për prindërit kur na zgjonin, të rrinim dhe pesë minuta më shumë. Një pesëminutësh i artë për t’u ndarë paqësisht me natën, me gjumin, me ndjesinë përkëdhelëse që të përcjell ngrohtësia e shtratit. Dhe për ta filluar edhe ditën paqësisht, pa urdhëra.
Pjesa tjetër përgjithësisht është rutinë mëngjesore, por megjithatë ritmike për mua që duhet t’ja dalë të bëj gjithçka përmban menuja e punëve të mëngjesit për gruan e shtëpisë, të celebroj kur mundem fillimin e ditës me aromën e një kafeje të shpejtë me Edin, dhe të dal në kohë nga shtëpia me Zahon për të mos mbetur në radhën e shoferëve të makinave të bëra vargan në rrugën e shkollës.
-Si e balanconi ju dhe kryeministri jetën familjare me atë politike? A flisni për politikë gjatë darkave, apo përpiqeni ta mbani tryezën e familjes larg temave të pushtetit?
Ju po më pyesni për të ditur për 24 orët e jetës sonë të përditshme në 12 vite të punës së Edit si kryeministër dhe pyetja juaj tingëllon kaq e qetë, kaq e patrazuar, kaq relaksuese madje, sa më vjen shumë keq që ta trazoj e komplikoj unë me të gjithë të kundërtat e këtyre ndjesive. Sidoqoftë, sa për ta filluar mund të them që nën çatinë e shtëpisë sonë nuk ka dy jetë të ndara, njëra familjare për të gjithë ne dhe njëra politike për Edin. Ka vetëm një. Natyrisht secili bën punën e tij të përditshme, por pa e harruar në asnjë moment që Edi është kryeministër, domethënë në një pozicion që në mënyrë të paevitueshme krijon ngarkesë mbi supe, kushtëzim të hapave dhe shqetësim të një lloji fare të veçantë e të pashprehur në mendje dhe në zemër. Mund t’ju duket çudi, po pozicioni i Edit, përtej Edit, i krijon këto kushtëzime dhe preokupime veçanërisht tek unë dhe fëmijët, që vijnë bashkë me ngarkesën që ka njeriu në jetën e tij të zakonshme. Dhe, mos harroni, unë i kam jetuar të dyja.
-Përpara se të ishit bashkëshortja e Kryeministrit, ju ishit – dhe mbeteni – një grua me profil të qartë profesional: akademike, ekonomiste, pjesë e shoqërisë civile. Si arrini ta ruani këtë identitet në sytë e publikut dhe në raport me veten?
Duke mos pranuar që në ditën e parë të Edit në pushtet dhe në asnjë ditë të Edit kryeministër që ta lejoj thelbin tim qytetar, profesional dhe mënyrën time të të jetuarit brenda dhe jashtë shtëpisë të ndikohet nga ngjitja e tim shoqi në majë, kam krijuar qysh atë ditë e çdo ditë më tej, një distancë të sigurtë higjenike nga pushteti. Ky term që më ka pëlqyer shumë që në sekondën që e kam dëgjuar shumë kohë më parë prej Arbën Xhaferrit. I kam rezistuar kështu çdo përpjekjeje për të më konsideruar si paradhomë të zyrës së Edit dhe i kam bërë ballë çdo keqkuptimi kur njerëz të afërt a të panjohur, më janë adresuar si pëshpëritëse në veshin e tij. Kam ruajtur ritualet e mia, që nga vendi ku prej 26 vjetësh pi çdo mëngjes kafen para se të ngjitem në po atë zyrë, lidhjet e mia të afërta a të largëta po ashtu, duke mbajtur ndezur kontaktet njerezore dhe ndjeshmërinë e shqetësimin për të përbashkëtën. Duke e bërë punën time çdo ditë me të njëjtin seriozitet, përkushtim e pasion profesional. Të merresh me ekonominë dhe me politikat publike në profesion, të kesh ndjeshmëri për grupet vulnerabël dhe të drejtat dhe të kesh bashkëshortin kryeministër nuk është edhe aq kollaj dhe gjithashtu nuk është aspak e lehtë të kapërcesh dyshimet apo përballësh paragjykimet dhe gjykimet, të cilat kanë forcën të të shqetësojnë megjithëse apo sidomos sepse në shumicën dërmuese të rasteve, s’kanë të bëjnë me ty po me stereotipin e bashkëshortes së kryeministrit, që është kaq i fortë sa që nganjëherë habitesh se si edhe dikush që të njeh prej vitesh keqkuptohet deri në pikën e të pabesueshmes. Por njëkohësisht është edhe një oportunitet për të provuar veten dhe për të jetuar në një dimension të pazakontë.
-Pak para nisjes së fushatës për zgjedhjet e 11 majit, u bëtë subjekt i një sërë akuzash publike nga opozita. U dërguan letra tek partnerët ndërkombëtarë që kërkonin largimin tuaj nga disa projekte ku jeni e përfshirë. A ju shqetësoi kjo fushatë? Patët ndonjë reagim nga partnerët ndërkombëtarë? E kishit parashikuar që do të ishit në fokus në këtë mënyrë?
U dërgua nga burrat dhe fatkeqësisht edhe gratë deputete të grupit parlamentar të Partisë Demokratike një letër apo ndjesë për përcaktimin e saktë, një ferman turpi politik, drejt institucioneve ndërkombëtare që mbështesin Shqipërinë. Ai ferman që në fakt konfirmonte aftësitë e mia profesionale duke u shprehur se “ne nuk gjykojmë kapacitet profesionale të zonjës Rama”, u kërkonte ndërkombëtarëve të mos më angazhonin në projektet e tyre ose e thënë ndryshe, të më pushonin nga puna, për shkak se isha bashkëshortja e kryeministrit. Them të më pushonin nga puna sepse unë dhe zyra ime nuk jemi financuar gjermësot nga asnjë qindarkë e buxhetit të shtetit shqiptar. Pra ata burra dhe ato gra kërkonin që institucionet ndërkombëtare të më mohonin arbirtrarisht të drejtën për të bërë punën që bëj me ta qysh prej vitit 1999, kur dola apo më saktë më thanë se nuk isha më e nevojshme si shërbëtore e shtetit shqiptar.
Fillimisht m’u duk një çudi e madhe që përfaqësimi më i lartë institucional opozitar, në vigjilje të fushatës elektorale, i kishte mbledhur të gjitha forcat dhe firmat e veta, për të më hequr nga puna mua. Jo Edin. Domethënë në atë moment parazgjedhor për opozitën pushteti për t’u luftuar nuk ishte Edi me të vetët, por isha unë dhe studimet e mia.
Besoj që ajo letër së pari dhe mbi të gjitha ishte shprehja më e qartë e dëshpërimit kolektiv të kundërshtarëve të Edit, që pas përpjekjes së dështuar 12 vjeçare për të gjetur qoftë dhe një rast të pikëtakimit tim të çfarëdollojshëm me pushtetin e Edit, përfunduan tek një sulm publik frontal ndaj të vetmit pushtet timit: punës profesionale.
Ai ferman ishte edhe një akt ezaurimi i dikujt që u përpoq të thurrte mijëra fjalë të liga ndaj famijes tonë, por nuk mundi dot që në mijëra faqe studime të miat të botuara në vite të gjente një shifër apo një argument që të hedhë dyshimin më të vogël mbi qëllimin, seriozitetin dhe cilësinë e ushtrimit të profesionit tim apo mbi korrektësinë profesionale ndaj institucioneve me të cilat punoj prej më shumë se 25 vitesh.
Ai ferman i firmosur si ato listat e zborit kur tërhiqnim uniformën jeshile dhe pushkët e drurit, është një dëshmi ulëritëse hipokrizie – besoj do të mbetet në analet e parlamentarizmit shqiptar – e të gjithë atyre deputetëve që votojnë e angazhohen për zbatimin e të gjitha konventave për të drejtat e njeriut e plot të tjerë dokumenta të lidhur me parimet demokratike. Por pa asnjë turp i japin vetes të drejtën dhe partisë firmën që t’ia heqin të drejtën e punës dikujt që punën e ka krijuar me mundin dhe me djersën e vet.
Fermani që çuditi të madh e të vogël në rrethet profesionale dhe në institucionet ndërkombëtare, u hartua në pragun e fushatës elektorale, kur ethet e pasigurisë mes deputetëve për vendin në listën e kandidatëve ishin më të forta se sa besnikëria e tyre ndaj parimeve demokratike apo konventave ndërkombëtare. Firmat e tyre ishin shumë më mjerane se sa ato të dëshmitarëve të rremë në kohën e mallkuar kur humbja e testit të besnikërisë ndaj partisë të hante kokën, sepse testi i tyre i besnikërisë nuk lidhej me kokën po me ulësen në parlamentin e radhës. Secili prej tyre, pa përjashtim, burrë apo grua, duke firmosur për të ekzekutuar të drejtën time për të punuar, për të ruajtur ulësen e vet, provoi se ishte i gatshëm të ekzekutonte këdo që do t’i kërkohej për besnikëri ndaj ulëses së vet. Bashkëshorti pedagog në universitet, ëndrra e fëmijës së mirëarsimuar, kontrata e punës së motrës konsulente në BE, Bankë Botërore, EBRD apo UN, humbën zyrtarisht përballë ulëses. Madje për ulësen janë krejt të natyrshme të firmosen edhe rivrarja në varr e gjyshit të persekutuar nga letrat e të paudhëve apo syrgjynosja e vëllait që është në punën e tij në një institucion publik.
Zgjedhjet politike kanë përfunduar, deputetët fitues të listës së mbyllur e të hapur të Partisë Demokratike janë shpallur, por për mua, deputetët që e siguruan ulësen duke firmosur atë ferman turpi politik, janë dhe do të mbeten të vetëdënuar si humbës.
Ndërkohë, institucionet ndërkombëtare u përgjigjën publikisht duke qartësuar se transparenca, mosdiskriminimi, konkurenca e hapur, profesionalizmi, integriteti dhe pavarësia janë kriteret e përzgjedhjes së bashkëpunëtorëve të tyre ndërsa burra dhe gra, figura të njohura të medias dhe të shoqërisë civile reaguan gjithashtu publikisht duke e quajtur absurd dhe të padrejtë sulmin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike ndaj meje.
Më pyetët a ju shqetësoi kjo fushatë. Aspak. Kisha bërë durimplotë gjithçka kisha patur në dorë për të mos cënuar profesionin dhe lirinë time. Kur ajo letër u publikua në media isha e qartë që duhej të prisja të tjerët të bënin të tyren. Dhe e bënë duke më dhënë ndjesinë e triumfit që mbart dija, puna e devotshme, pavarësia dhe integriteti profesional, liria për të bërë zgjedhjet që do dhe kurajo për të qenë i drejtpërdrejtë e për t’u ballafaquar pa bërë llogari të vogla dhe kompromise. Ky është pushteti i madh i njerzve të thjeshtë që duke i besuar vetes, profesionit dhe punës, e provokojnë dhe sfidojnë me lirinë e tyre politikën dhe pushtetin e saj.
-Që nga vitet ’90 e këtej, Shqipëria ka pasur disa kryeministra, dhe me ta edhe bashkëshorte që kanë marrë role të ndryshme publike. Zonja Liri Berisha është parë aktive në fusha sociale. Rexhina Nano dhe më pas Xhoana Nano, gjithashtu. Edhe ju keni ndërtuar një profil të veçantë publik. A mendoni se roli i bashkëshortes së Kryeministrit ka ndryshuar ndër vite? Dhe a duhet të ndryshojë më tej?
Për bashkëshorten e Kryeministrit nuk ka rol të parashikuar në ligjet dhe rregulloret e shtetit shqiptar, përveç pranisë së saj në pak raste protokollare. Kështu ka qenë gjithnjë. Për këtë shkak, angazhimi publik i bashkëshortes si e tillë, është një zgjedhje personale. Nuk ka as traditë, as guida, as ndonjë asistencë institucionale për të. Është një zgjedhje personale që nuk mësohet po zbulohet, me përpjekje e me eksperiencë, pak nga pak dhe me shumë durim duke iu shmangur terreneve të minuara. Por kur s’ka “kopje” apo mundësi përsëritjeje modelesh të gatshme, bëhet më e natyrshme të transmetosh atë që ti je, duke u munduar mishërosh atë që ti beson dhe të kontribuosh me atë që ty të vjen ndoresh. Në këto 3 dekada e gjysëm, profili publik që bashkëshortet kanë zgjedhur dhe kanë kultivuar ka qenë i ndryshëm. E rendësishme mendoj është që profili i bashkëshortes të kryeministrit të jetë komplementar për bashkëshortin në funksionin e tij publik pa u bërë e tepërt për njerëzit në përditshmërinë e tyre.
-Ju nuk jeni një figurë që shfaqet shpesh në media apo në rrjete sociale. Është vështirë të gjesh një foto tuajën me nipin, apo me familjen në momente intime. Pse keni zgjedhur këtë diskrecion? Është mbrojtje, filozofi, apo diçka tjetër?
Avi tashmë ka edhe një motër që quhet Rui, mbesa ime që sapo ka mbushur katër muaj. Zaho, Avi dhe Rui janë tre zogj që, kur jemi sëbashku, na mbështjellin me një larmi të hatashme zërash e tingujsh, të qarash e të qeshurash, zënkash, ngacmimesh e përqafimesh fëminore. Ndërsa momentet intime familjare secili i konsumon për veten, ndryshe nuk do të quheshin intime. Qysh në vogëli e kam patur të fortë instiktin e moslejimit të prekjes së territorit tim të privatësisë dhe po kështu e kam respektuar këtë territor tek të tjerët. Privatësia është shije e një lloji të veçantë që të përket vetëm ty, është respekt për jetën tënde, por dhe për jetën e tjetrit, për kohën tënde dhe kohën e tjetrit. Ajo hapësirë është eskluziviteti yt.
-Zonja Brigitte Macron, me të cilën qëndruat bashkë gjatë vizitës zyrtare të çiftit Macron në Tiranë, ka thënë se “nuk dëshiron të jetë e padukshme, edhe pse nuk ka një funksion institucional”. A mendoni se bashkëshortet e liderëve politikë duhet të kenë një zë më të fortë publik?
Brigitte është grua shumë speciale dhe ndjehem me fat që rasti e ka sjellë për mua që ta takoj dhe të kem mundësi të kaloj kohë me të. Brigitte zotëron fuqinë që të jetë Zonjë e Parë në çdo mjedis ku gjendet, jo thjeshtë dhe vetëm se është Zonja e Parë e Francës por sepse është vetë Ajo. Me elegancë, kujdes, vemendje për këdo pranë saj ajo ja del mrekullisht mirë të ndajë shqetësimet e mëdha të botës dhe gëzimet e kuptimet e vogla por domethënëse të jetës. Në vizitën e saj zyrtare të para tre muajve në Shqipëri sëbashku me Presidentin Macron, Brigitte zhvilloi një bisedë me nxënësit e seksionit frankofon në shkollën e mesme “Asim Vokshi” në Tiranë dhe të disa nxënësve të tjerë të ardhur nga Korça. Aty pashë se si papritur Zonja e Parë e Francës u kthye lehtësisht në mësuesen pasionante që i fliste nxënësve për rëndësinë e përqendrimit në shkollë dhe moslejimin e problemeve të të përditshmes, sfidave emocionale dhe marrëdhënieve sentimentale që të shpërqendrojnë vëmendjen nga mësimi. Pashë se si i inkurajonte për të shkruar lirshëm mendimet, shqetësimet apo ngjarjet e ditës menjëherë pasi ato ndodhin si mënyrë e shëndetshme për të përpunuar ndjenjat dhe për të rikthyer ekuilibrin emocional. Pashë sa e vështirë u bë për nxënësit të shkëpusnin bisedën me Brigitte për letërsinë frenge dhe autorët e mëdhenj francezë. Dhe më tej pashë se si në fund u rishfaq në bisedë përsëri Zonja e Parë e Francës teksa komplimentonte e impresionuar nxënësit bashkëbisedues për nivelin e dijes dhe seriozitetin ndaj shkollës duke i krahasuar dhe me bashkëmoshatarët e tyre në Francë. Brigitte Macron është një grua e fortë dhe sfiduese që me origjinalitetin e saj të spikatur ka aftësinë të provokojë dhe të inspirojë.
-Dua të ndalem në këtë grup pyetjesh të dyta tek zgjedhjet e post-zgjedhjet. Si t’u duk fitorja e PS. E prisje që do të ndodhte kështu?
Zgjedhjet parlamentare janë momenti politik më i rendësishëm i vlerësimit të punës të katër viteve dhe shprehja më e rëndësishme e besimit për katër vitet e ardhshme. Sigurisht ato janë një moment i rendësishëm për Edin, por mbeten padyshim të tilla edhe për mua dhe fëmijët. Më vjen mirë që Edi rimorri besimin e shumicës dhe uroj që të jetë i merituar në çdo ditë të ushtrimit të mandatit.
-Nga pozicioni i ekspertes së shoqërisë civile, besoj dhe ju e keni ndjekur debatin e madh që bëhet në media – (ndryshe nga Edi për shkak të natyrës së punës suaj ju lexoni dhe dëgjoni lajme) – lidhur me ndërhyrjen e kryeministrit në kompetencat e pushtetit vendor. Kërkesa on-block të dorëheqjeve të drejtorëve nëpër bashki, në një kohë që është kompetencë e kryebashkiakëve. A keni ndonjë koment për këtë?
E kam ndjekur këtë zhvillim që në fakt është i pazakontë pikërisht për atë që ju artikuloni, imponimin e autoritetit ekzekutiv qëndror tek autoriteti ekzekutiv i disa bashkive të mëdha. Nga sa është shpjeguar, ky zhvillim ka marrë shkas pikërisht nga niveli i besimit të marrë në zgjedhje dhe pritshmëria e qytetarëve për një zhvillim të ri edhe në raport me hapërsirën publike. Por mbase mosushtrimi në kohë apo siç duhet i disa prej kompetencave në fushën e juridiksionit të pushtetit vendor, në kushtet kur sfidat e qyteteve të mëdha janë bërë edhe më të mëdha, ka sjellë në rendin e ditës nevojën për një shkundje tërësore në mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm të qyteteve. Unë nuk ka se si ti di të gjithë argumentet dhe kundëargumentet mbi këtë zhvillim. Ajo që mund të them është që performanca e pushtetit lokal është përfitim apo kosto e përditshme për qytetarin dhe cilësi e rritur apo e munguar jetese për të. Se çfarë nuk funksionon në mekanizmin zbatues, atë të kontrollit dhe llogaridhënies në bashkitë tona, nevojitet të kuptohet. Dhe për një kuptim të drejtë duhet të shprehen së pari vetë bashkitë, një serë agjencish të lidhura me to, shumë organizata të shoqërisë civile që për tre dekada kanë mbështetur bashkitë. Duhet të shprehen ministritë e linjës dhe sigurisht të zgjedhurit e qytetarëve në parlament. Nuk e di nëse e keni kërkuar opinionin e tyre, por di që asnjë prej tyre nuk mund t’i shmanget përgjegjësisë funksionale dhe qytetare për problematikat lokale. Njëkohësisht na lipset të përshpejtojmë agjendën lokale të zhvillimit inteligjent që është mundësia e artë për shërbime efikase. Por a mund ta realizojnë vetë bashkitë zhvillimin inteligjent të tyre? Nisur nga konkluzionet e një studimi të para pak viteve për financat dhe cilësinë e shërbimeve në bashkitë e vendit, mund të them që përveç bashkisë së Tiranës që i kishte mundësitë për të qenë avangardë në disa aspekte, bashkitë e tjera nuk i kishin këto mundësi. Mbase kjo ka ndryshuar dhe Tirana s’është më e vetmja, por kjo nuk e ndryshon faktin që bashkitë duhen mbështetur. Natyrisht, me premisën që ato vetë të jenë të interesuara dhe vullnetmira që të ecin në këtë drejtim.
-A nuk janë këta njerëz, sido që të jenë, që kanë kontribuar mjaftueshëm në fitoren e partisë socialiste me 83 mandate. A duhet të largoheshin kështu? Me turp?
Zyrtari publik paguhet nga ne të gjithë për t’i shërbyer publikut dhe jo aktivizmit politik e ambicjeve të partive, apo jo?! Ndërsa sipas meje, turp është të përdorësh si argument kontributin në një parti fituese, për të mos i ndenjur gatitu ligjit dhe qytetarit në funksionin tënd zyrtar apo edhe më keq, për t’i renë në qafë qytetit e komunitetit tënd, duke fjetur gjumë në krye të detyrës, duke mbyllur sytë përpara shkeljeve të ligjit.
-Po e nis nga Thethi, por rilindja urbane 2.0 po shkakton jo pak trauma. Pikërisht në pikun e sezonit. Ndërtimet aty kanë qenë gjithmonë. Ose në këto 10 vite janë shtuar si kërpudhat nën sytë dhe vëzhgimin e cdo administratori në administratën publike. Tani turistët po ankohen për kaosin; bizneset po ankohen për punën; njerëzve po u shkaktohet panik. E keni ndjerë këtë? A ishte një masë e duhur një reformë prishjesh e menjëhershme, apo reforma duhet të vinte natyrshëm, qetë, jo kaq e dhimbshme…
Të prishësh ndërtime pa leje nuk është reformë. Është një masë apo një veprim korigjues i dhimbshëm. Ndërsa reforma është më shumë sesa një veprim dhe mund të pyesni qeverinë se çfarë ka parasysh me një fazë të dytë zbatimi të programit të rilindjes urbane. Lejimi i një ndërtimi apo aktiviteti të paligjshëm dhe mospengimi në kohë është një mëkat i dënueshëm ligjërisht për cilindo zyrtar publik që e ka kryer edhe pse fenomeni nuk mund të shpjegohet vetëm me këtë element. Dihet se taksapaguesit i paguajnë zyrtarët për të shërbyer e për të orientuar drejt qytetarin, jo për ta futur atë në kurthe duke i kërkuar rryshfet apo për t’u joshur nga rryshfeti i këtij të fundit. Por nga ana tjetër fakti që zyrtarë të tillë fatkeqësisht nuk mungojnë nuk e justifikon qytetarin që të shkelë ligjin, për më tepër kur të tjerë qytetarë më parë kanë vuajtur pasojat e paligjshmërisë së ndërtimeve të tyre. Ndërtimet pa leje janë një traumë që vazhdojmë ta vuajmë edhe pas 35 vitesh, por është detyrë e shtetit të gjejë mënyrën si ta mbyllë përfundimisht këtë kapitull.
-Zonja Rama, besoj se edhe ju e keni ndjekur debatin e fundit mes Bardhës dhe Muçit, që u bë viral në rrjet si simbolikë e asaj çfarë po ndodh realisht në vend. Shumëkush e ironizoi zyrtarin e tatimeve në Sarandë dhe ndjeu keqardhje për thirrjet e Bardhës, që lutet për mbijetesë.
Ndërkohë, Adri Nurellari, në analizën e botuar në numrin e kaluar të revistës Neësbomb.al, shkruan: “Një sistem fiskal si i yni, që favorizon luksin përballë prodhimit, nuk është më një sistem konkurrues, por klientelist”. Ai nënvizon se “Big”-ët janë të privilegjuar, ndërsa “të vegjlit” si Bardha penalizohen.
Ju, si ekonomiste — e ndjeni këtë shqetësim? A ndani këtë perceptim për sistemin aktual fiskal dhe për mënyrën si trajtohen sot të vegjlit në ekonominë shqiptare? Fermeri, peshkatari, biznesmeni me tendën buzë rrugës përballë kullave të mëdha pa leje apo atyre biznesmenëve me status special si të stimuluar…
Le të pëpiqemi t’i marrim një nga një. Fillimisht, të shkëputemi për një moment nga komentet për personat konkretë dhe të ndërtojmë llogjikën e debatit midis inspektorit zyrtar dhe subjektit tregtar. Ai debat më kujtoi fëmijërinë time, kohën kur tre – katër javë të pushimeve verore, sëbashku me vëllain i kalonim në Krujë, tek gjyshërit. Disa prej kushërirave të mamasë sime ishin moshatare me mua. Me to, një pjesë të kohës e kalonim duke mbledhur lule kamomili dhe lule mullage. Ndërkohë që shumë gra shkonin në malin e Krujës për të mbledhur sherebelë dhe mbanin ekonominë e tyre familjare edhe me të ardhurat nga shitja e sherebelit. Kamomilin dhe lulet e mullagës që mblidhja i hapja në oborr mbi një çarçaf dhe i thaja. Lulet e thara, në fund të pushimeve, i fusja në një qese dhe i çoja tek një pikë grumbullimi e bimëve mjeksore që ndodhej tek Xim Zeneli, emri me të cilin identifikohej ajo zonë. Aty i peshonin dhe më jepnin në këmbim paratë që më përkisnin. Ishin pak por të mjaftueshme për të ndjerë kënaqësinë e punës dhe për të dhënë kënaqësinë e ndonjë dhurate fare simbolike për prindërit apo motrën e vogël. Nga pika e grumbullimit bimët e thara ndiqnin zinxhirin e përpunimit dhe tregtimit në tregun vendas apo eksport. Pra kushdo që mbledh bimë mjekësore në mal a fushë, peshkon në det, mbledh maré apo manaferra e veçanërisht kush prodhon vezë nga pulat në kotecin e tij, qumësht e mish nga bagëtia që zotëron mund t’i konsumojë, por nëse vendos t’i tregtojë tek të tjerë atëherë duhet të jetë i lejuar, i licensuar, i autorizuar, i kontrolluar nga shteti. Në mënyrë që konsumatori të jetë i mbrojtur. Kjo quhet siguri ushqimore dhe është një nga funksionet më të rendësishme të shtetit. Për t’ju kthyer rastit konkret, inspektori ka për detyrë të verifikojë burimin e furnizimit të produktit ushqimor që tregtohet dhe e vetmja mënyrë është nëpërmjet faturave midis subjektit furnizues, që është dhe garantuesi i cilësisë, dhe subjektit tregtues. Në rastin konkret që ju flisni, diskutimi që lidhet me sigurinë ushqimore është absolutisht më i rendësishëm se sa thjeshtë diskutimi mbi detyrimin fiskal. Dhe në diskutimin për sigurinë ushqimore ne duhet të solidarizohemi të gjithë shumë seriozisht si konsumatorë pasi lidhet me shëndetin tonë, të fëmijve dhe prindërve tanë. Për më tepër, tashmë që turizmi po kthehet në industri që do të thotë që gjatë një viti të mos jemi 2.5 milion konsumatorë por të jemi 12.5 milion apo edhe më shumë. Jemi të vonuar në këtë drejtim dhe nëse vijojmë kështu do të jetë me pasoja të mëdha dhe afatgjatë për individin dhe për ekonominë.
Le të vijojmë më tej me pyetjen tuaj në të cilën keni deduktuar edhe dy shqetësime kryesore.
Së pari, sistemin fiskal shqiptar e quani, po kuotoj frazat tuaja, “sistem fiskal që favorizon luksin përballë prodhimit, sistem jo konkurrues, por klientelist, sistem që privilegjon “Big”-ët, ndërsa “të vegjlit” i penalizon”.
Është një deduksion që qëndron në ekstrem dhe përsa kohë bëhet fjalë për sistemin fiskal le t’i referohemi raportit të fundit të BE për progresin e Shqipërisë dhe raportit të stafit të FMN, dy institucione që na mbikqyrin prej fillimit të viteve ‘90. Ato konstatojnë që Shqipëria qysh prej vitit 2016 kontrollon financat publike nëpërmjet rregullit fiskal të miratuar, performanca fiskale është përmirësuar ndjeshëm, rregulli fiskal është zbatuar ndërsa politikat e kujdesshme fiskale kanë kontribuar në ulje të ndjeshme të borxhit publik. Pra, alarmi që bie në revistën tuaj për sistemin fiskal shqiptar nuk rezulton të jetë shqetësues as për BE dhe as për FMN.
Shqetësimi i dytë lidhet për trajtimin e diferencuar të subjekteve ekonomike nga administrata fiskale, po ju kuotoj përsëri “të të mëdhenjve ekonomikë me status special, ndërtues të kullave të mëdha pa leje krahasuar me të vegjlit apo fermerin, peshkatarin, biznesmenin me tendën buzë rrugës” .
Po, është shqetësim. Ekzistojnë probleme të politikave të diferencuara tatimore dhe veçanërisht problematika të administrimit tatimor. Ndaj këto raporte sugjerojnë uljen e informalitetit në përgjithësi si dhe trajtimin e kujdesshëm të tarifave të reduktuara në sektorë si ai i turizmit, të përjashtimeve tatimore për nxitjen e investimeve strategjike, të përjashtimeve tatimore për kategori të caktuara të biznesit e të tjera si këto pasi krijojnë kushte për informalitet, konkurencë të pandershme dhe korrupsion të zyrtarëve tatimorë. Presioni i vijueshëm që duhet të ushtrojmë të gjithë mbi shtetin, vetë bizneset në rradhë të parë, për ta sjellë në shina korrekte të përditshmen e tij me qytetarin dhe biznesin është i domosdoshëm. Vetëm kështu do të mundim të kemi ekonomi të shendetshme, klimë motivuese investimesh, paqe e drejtësi sociale. Për më tepër, vetëm kështu ajo çfarë i mësojmë e kërkojmë fëmijëve në shkollë do të jetë ajo që fëmijët dëgjojnë e mësojnë në shtëpi.
-Vizitat e nivelit të lartë, samitet në Tiranë, dy vizita të Presidentit Macron, ardhja e pritur e Presidentit Trump për samitin e NATO-s… Po jetojmë një moment të artë për Shqipërinë në planin ndërkombëtar. Sipas jush, kjo ndodh për shkak të rrethanave, lidershipit, apo sepse kemi punuar vërtet shumë mirë si shtet?
Po, është e vërtetë që vitet e fundit janë vite shumë të mira për Shqipërinë. Vite që kanë çliruar frikërat dhe kanë zbehur komplekset e Shqiptarëve këtu dhe anembanë botës duke bërë të ndjehemi të gjithë mirë. Nuk ka dyshim besoj që merita i takon vizionit të qartë të Edit, lidershipit inspirues, inkurajues, insistues e transformues të tij, punës së jashtëzakonshme të shqiptarëve për ta bërë Shqipërinë të jetueshme, të vizitueshme, të reklamueshme si dhe me kapacitetet e nevojshme për të pritur e organizuar me dinjitet aktivitete ndërkombëtare që do të kulmojnë në vitin 2027 kur do të presim samitin e NATO-s.
-Nëse kemi punuar kaq mirë, atëherë pse po ikin shqiptarët nga Shqipëria?
Besoj se arsyet e emigrimit nuk janë vetëm ekonomike. Janë të ndërlidhura me faktorë të tjerë kulturorë, socialë, komunitarë dhe gjinorë – me fjalë të tjera, edhe me faktorë psiko-socialë. Përmirësimi i të ardhurave është një përpjekje individuale, ndërsa trajtimi i gjithçkaje që lidhet me trashëgiminë kulturore, sociale dhe komunitare, si dhe me marrëdhëniet njerëzore, kërkon punë si me veten, ashtu edhe me të tjerët.
Individi përballet ende me presionin e familjes, të afërmve, të komunitetit – dhe padyshim, ndikimi i rrjeteve sociale sot është i madh. Ekziston gjithashtu presioni nga lajmet apo nga retorika e ashpër politike. Çlirimi i individit nga ky presion mbetet një mision i rëndësishëm për familjen, shkollën, median, institucionet dhe shoqërinë civile.
Na nevojitet gjithashtu të ndërtojmë një bisedë më kuptimplotë dhe të sinqertë me të rinjtë. Duhet t’i dëgjojmë ata dhe t’i mbështesim. Ndërtimi i dialogut me ta është me rëndësi të madhe për të ardhmen.
-Kjo ulja e Edit në gjunjë përballë kryeministres Giorgia Meloni nuk ka ndodhur veç një herë. Ka marrë vëmendjen e medias ndërkombëtare. Si e keni perceptuar ju vetë si bashkëshortja e Edit?
Behet fjalë për të njëjtin Edi që shkon në takimin me Presidentin Macron apo në takime të tjera të rendësishme me atlete të bardha apo Edin që në një rast bënte dirigjentin e liderave të vendeve të BE përpara se aparati fotografik të shkrepte foton familjare diku në Bruksel apo Edin që nuk nguron të marrë tabakanë e të bëjë kamarierin për të ftuarit e tij në fund të një aktiviteti kulturor në COD. Edi është atipik dhe atipizmi i tij nuk ka se si të mos marrë vemendjen e mediave ndërkombëtare të cilat jetojnë me lajmin. Mua vetë, artistikisht, më ka pëlqyer kur kam parë Edin më të shkurtër se Giorgia Meloni.
-Ne që jemi në media e ndjejmë shpesh dhunën ndaj grave. Shumë thonë se vjen si pasojë e kulturës, mosarsimimit, shoqërisë patriarkale që kemi trashëguar me breza. Cilat janë sipas jush sfidat më të mëdha me të cilat përballet sot gruaja në Shqipëri?
Të gjitha këto që thatë ju duke shtuar dhe varësinë ende të lartë ekonomike të gruas dhe përplasjen midis brezave, veçanërisht në komunitetet e periferisë urbane dhe atyre rurale.
A ka një grua të veçantë – shqiptare apo ndërkombëtare – që ju ka inspiruar thellësisht? Që duhet të jetë një model?
Ndërsa po flasim, kam tre mikesha që janë në betejë me kancerin. Kushërira ime studente gjendet në këtë betejë gjithashtu . Kam edhe mikesha që janë nën presion të madh jetësor për shkak të rrethanave të pafat të jetës. Dhe ka shumë e shumë të tjera në kushte të ngjashme anembanë Shqipërisë. Forca, kurajo, aftësia për të mobilizuar më të mirën e tyre dhe për të shpëtuar ndjenjat dhe jetën e të tjerëve përreth tyre është sublime dhe e admirueshme. Sublim dhe i admirueshëm është përkushtimi i palodhshëm i nënës sime ndaj babait dhe ndaj nesh, dhe i admirueshëm është babai im për dinjitetin me të cilin jeton problemet e shëndetit. I admiroj ata dhe shumë të tjerë që çdo ditë i përkushtohen fëmijëve me nevoja të veçanta, që kujdesen për të moshuarit, që vënë veten pas për të tjerët. Ata mbeten modeli dhe inspirimi im i përditshëm.
-Hillary Clinton shpesh theksonte se gratë nuk duhet të zgjedhin mes ambicies dhe familjes. A e ndjeni ende këtë presion në shoqërinë shqiptare?
Po, patjetër që e ndjej. Po aq sa e shoh që ka gjithnjë dhe më shumë vajza e gra që sot gjenden në një ekuilibër të arësyeshëm të karierës, familjes dhe jetës.
-Nëse do të ishit e lirë të lanconit një projekt në vend, totalisht juaji personal, cili do të ishte? Ku do të fokusoheshit? Ose një mision tuajin, larg politikës…
Arsimi. Më intrigon shumë arsimi, si përfituesi dhe njëkohësisht i sfiduari më i madh në epokën që po jetojmë./Newsbomb