Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ka inspektuar nga afër punimet për ndërtimin e pistës së atletikës dhe fushës së re të futbollit në Universitetin e Sporteve të Tiranës, një investim i rëndësishëm që po realizohet me mbështetjen e qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu tha se ky projekt synon të vendosë një standard të ri në infrastrukturën sportive universitare, duke shërbyer jo vetëm për përmirësimin e kushteve të studimit dhe praktikës për studentët e Universitetit të Sporteve, por edhe për përgatitjen e sportistëve elitarë dhe për mbështetjen e komunitetit më të gjerë sportiv.

“Ky investim është ndër më të rëndësishmit që ne po bëjmë për Universitetin e Sporteve, i cili do t’u shërbejë jo vetëm studentëve të këtij universiteti, por gjithashtu jam e bindur që do t’i shërbejë komunitetit dhe përgatitjes së sportistëve elitarë dhe patjetër edhe brezave të rinj. Kjo është një fushë e cila po rikualifikohet tërësisht. Tashmë puna ka filluar dhe një pjesë e punimeve janë kryer si në fushën e futbollit, në pistën e atletikës, ashtu edhe në nëndisiplinat përkatëse.”, tha Ministrja Manastirliu.

Ajo vuri në dukje se puna është në fazë të avancuar dhe pritet që të përfundojë në fund të këtij viti për ti hapur rrugë investimeve të tjera në këtë universitet.

“Deri në nëntor e përmbyllim kë investim dhe vitin e ardhshëm vijojmë investimet për të krijuar mundësinë që të gjitha disiplinat të kenë standardet më të mira në funksion të aspekteve didaktike, akademike por edhe atyre praktike dhe me kërkimin shkencor që po e mbështesim përmes Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit.”, u shpreh Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.

Ky investim, përveç përfitimeve të drejtpërdrejta për qindra studentë që studiojnë në këtë universitet, do të ndikojë gjithashtu në zhvillimin e kërkimit shkencor në fushën e sportit, përmes mbështetjes që MAS po ofron nëpërmjet Agjencisë së Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit.

Ministrja Manastirliu nënvizoi gjithashtu se investime të tilla, të shoqëruara me partneritete të reja, do të forcojnë ekselencën akademike, praktikën profesionale dhe do të kthejnë Universitetin e Sporteve në një qendër model për zhvillimin e sportit në vend.