Manchester City ka humbur 2-0 brenda në shtëpi, duke ngritur pikëpyetje mbi vazhdimësinë e këtij kampionati. Makthet e sezonit të kaluar, mjaft zhgënjyes, duket se nuk janë larguar edhe pas merkatos milionere të kësaj vere. Tottenham i tregoi Pep Guardiolës se emrat e mëdhenj, miliardat e shpenzuara etj, nuk bëjnë gjithmonë punë në futboll. Vlen shumë edhe zemra, disiplina taktika, shpirti e garës etj.

Tottenham vazhdoi formën e shkëlqyer në “Etihad” me një fitore të qetë ndaj Manchester City. Skuadra e Thomas Frank e nisi kampionatin e ri me fitore të madhe 3-0 ndaj Burnley, fundjavën e kaluar. Me suksesin e sotëm 2-0 ndaj skuadrës së Pep Guardiolës, “Spurs” parashtrojnë synimet e qarta maksimale për sezonin e ri.

Skuadra nga veriu i Londrës është tani e pamposhtur në tri vizitat e fundit në “Etihad”. “Spurs” kanë humbur vetëm TRI nga 10 ndeshjet e fundit kundër Manchester City, skuadrës që dikur dominonte totalisht.