Deputetët e Parlamentit në Serbi miratuan ndryshimet në grupin e ligjeve të sistemit gjyqësor të propozuara nga deputeti i Partisë Progresive Serbe Ugljesha Mërdiç.

Ky i fundit theksoi se ndryshimet e miratuara në këtë paketë ligjore do ta bëjnë gjyqësorin më efikas dhe sipas tij se ky është hapi i parë drejt kthimit të gjyqësorit të vjedhur te shteti dhe populli.

Një goditje ndaj pavarësisë së drejtësisë e cilësuan deputetët e opozitës serbe miratimin e ndryshimeve ligjore për reformimin e sistemit gjyqësor.

Ata deklaruan se ato ndryshimet do të ndikojnë në punën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Kritika erdhën edhe nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese. Vladan Petrov deklaroi se partia në pushtet bëri gabim që nuk i kërkoi Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë mendimin e tyre mbi ndryshimet dhe plotësimet në grupin e ligjeve të gjyqësorit.

Një reagim më i ashpër erdhi nga Komisionerja për Zgjerimin e BE-së Marta Kos. “Vota e Parlamentit të Serbisë për të kufizuar pavarësinë e gjyqësorit është një hap serioz prapa në rrugën e Serbisë drejt BE-së”- kritikoi ajo përmes një postimi në rrjetin X.

”Në një kohë progresi të madh për zgjerimin, kur Mali i Zi dhe Shqipëria po ecin me shpejtësi, Serbia rrezikon të marrë drejtimin e kundërt. Kjo nuk është ajo që duam”- theksoi eurokomisionerja e Zgjerimit Marta Kos.