Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) ka reaguar sërish në lidhje me pasuritë pranë ish-Uzinës së Pjesëve të Këmbimit të Automjeteve, për të sqaruar dallimin mes pronave të shoqërisë Kayo sh.a. dhe asaj të pretenduar nga Panaroma Group sh.a.
Në deklaratën zyrtare, MEKI thekson se pasuria e pretenduar nga Panaroma Group është një çështje e veçantë dhe nuk ka asnjë lidhje juridike apo faktike me pasuritë që i janë kaluar shoqërisë Kayo sh.a. me vendim qeverie në mars 2025.
Sipas ministrisë, Panaroma Group ka qënë qiramarrëse e pasurisë publike në fjalë, por nuk ka shlyer detyrimet që prej shkurtit 2017, ndërsa detyrimet e papaguara vetëm deri në shtator 2021 kapin shifrën prej mbi 90 milionë lekësh, duke përfshirë qiranë dhe kamatëvonesat. Sot, detyrimi i përllogaritur kalon vlerën 2 milionë euro, ndërsa pritet rifreskimi i shifrave për përcaktimin e shumës përfundimtare.
“Që në vitin 2021, palës i është njoftuar zyrtarisht ndërprerja e kontratës për shkak të këtyre detyrimeve të papaguara,” – thuhet në deklaratë. Por, sipas MEKI, në vend që të dorëzonte pasurinë, subjekti “ka ndërmarrë masa sigurimi dhe padi për të penguar ekzekutimin e kontratës, duke vijuar të përdorë pasurinë publike pa kundërshpërblim.”
Ministria e cilëson këtë sjellje si të paligjshme dhe të padrejtë, duke theksuar se një trajtim i tillë krijon pabarazi dhe dëmton taksapaguesit:
“Është e padrejtë që disa subjekte të përfitojnë nga kontratat publike pa shlyer detyrimet, ndërkohë që të tjerë paguajnë rregullisht taksat dhe qiratë.”
Duke ritheksuar angazhimin për zbatim të barabartë të ligjit, MEKI nënvizon se nuk mund të përdoren media apo liria e shprehjes si justifikim për të shmangur pagesat apo për të gëzuar padrejtësisht prona publike.
Në përfundim, MEKI paralajmëron masa të tjera ligjore:
“Ministria do të vijojë verifikimet proceduriale dhe do të ndërmarrë masat e nevojshme për të garantuar administrimin efektiv të pasurisë publike dhe arkëtimin e plotë të detyrimeve, në interes të qytetarëve dhe taksapaguesve.”